Ndërlidhjet

Kosova me mungesë çerdhesh


Aktivitetet e fëmijëve në një çerdhe në Kosovë.
Aktivitetet e fëmijëve në një çerdhe në Kosovë.
Kosova ka gjithsej 42 institucione parashkollore. Por, ky numër është i pamjaftueshëm për t'i përmbushur kërkesat e fëmijëve që kanë nevojë për gjithëpërfshirje në këto institucione. Këtë e thotë Drita Kadriu, këshilltare e ministrit të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Ramë Buja.

"Edhe Prishtina, edhe Kosova nuk kanë numër të mjaftueshëm të institucioneve parashkollore, posaçërisht me lëvizjet e popullsisë në drejtim të kryeqytetit, çerdhet nuk e plotësojnë numrin e kërkesave”.

“Krahas kësaj, janë zhvilluar edhe institucionet private të arsimit parashkollor, por që gjithashtu edhe me këto institucione, edhe pse është rritur numri, nuk i përmbushin nevojat e fëmijëve për përfshirje në sistem. Gjithsej në Kosovë janë 42 institucione parashkollore. Për kopshte nevojat janë shumë të mëdha, e posaçërisht në Prishtinë",
thotë Kadriu.

Ndërkaq, prindërit e fëmijëve parashkollorë mendojnë se, përpos vështirësive për t’i regjistruar fëmijët e tyre në çerdhe, edhe kushtet që ofrohen në institucione parashkollore publike nuk janë në nivel të duhur.

Dafina Kastrati është nënë e një vajze 4 vjeçe, e cila flet për çerdhet.

“Çerdhet që ofrohen nga komuna, janë të pakta dhe nuk mjaftojnë për numrin e fëmijëve që janë në qytete. Është shumë e vështirë ta regjistrosh fëmijën aty dhe unë personalisht kam pasur shumë vështirësi, edhe pse më në fund kam arritur ta regjistroj vajzën time në çerdhen e lagjes. Sa i përket cilësisë, nuk janë kushedi sa mirë. Edukimi i edukatoreve nuk është në nivelin e duhur. Dhe, mendoj se merren aq shumë sa për t’i përgatitur fëmijët për shkollë”.

Këshilltarja Drita Kadriu thotë se e kanë parasysh faktin se sa i përket edukimit të fëmijëve nuk është duke u bërë aq sa duhet. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se do të bëhet së shpejti një zgjidhje.

“Në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit është përgatitur programi që është akredituar për studime të larta për edukatorë të nivelit 0- 3 e që përveç kujdesit, do të ofrojnë edhe pjesën edukative për fëmijët e kësaj moshe”, shpjegon Kadriu për Radion Evropa e Lirë.

Për mungesë institucionesh parashkollore, kanë reaguar edhe zyrtarë të organizatave që merren me të drejtat e grave.

Luljeta Vuniqi, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, thotë se është shtruar nevoja e ndryshimit të politikave nga institucionet, në mënyrë që të rritet numri i çerdheve në vend.

“Gratë nuk kanë mundësi t’i dërgojnë (fëmijët) në çerdhe, sepse numri është shumë i kufizuar. Andaj, pa u ndryshuar politika dhe pa mbështetje për gratë që kanë nevojë për çerdhe për fëmijët e tyre, gratë do të duhet të zgjedhin mes punës apo familjes”, konsideron Vuniqi.

Sidoqoftë, Drita Kadriu thotë se sipas strategjisë së arsimit parauniversitar 2011- 2016, parashihet rritja e numrit të çerdheve. Por, nga ai vit, deri tash ende nuk është vënë ndonjë gurthemel. Ajo shton se janë në kërkim të donatorëve në mënyrë që ta zbusin situatën aktuale.
XS
SM
MD
LG