Ndërlidhjet

Ekspertët maqedonas: Arka e shtetit është bosh!


Ekspertët e ekonomisë kanë ndezur alarmin se shteti po zhytet në borxhe të thella sa i përket pagesave të pashlyera ndaj kompanive të vendit.

Ish guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev thotë se është koha e fundit që qeveria të përfillë sugjerimet e FMN-së për të shpenzuar mjetet publike me transparencën më të madhe si dhe të ndërpritet praktika aktuale që paratë e arkës shtetërore të destinohen në investimet jokapitale.

“Tanimë një kohë të gjatë dihet mirë se çfarë ndodh me borxhin publik, thjesht ky problem më nuk mund të fshihet nën ‘rogoz’ ose nën tepih siç thot populli. Për këtë problem ka reaguar edhe FMN-ja, duke përdorë një fjalor profesional, madje edhe alarmi për uljen e rejtingut kreditorë të vendit ishte një sinjal shumë i qartë se gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur sa i përket stabilitetit ekonomik e jo më zhvillimit të ekonomisë”, thekson Goshev.

Ai këtë e tha duke e komentuar deklaratën e guvernatorit aktual të BPM Dimitar Bogov, se Maqedonia duhet ta ndryshojë politikën fiskale për zvogëlimin e deficitit buxhetor.

Ndaj kërkesës së BPM ka reaguar edhe partia më e madhe maqedonase në opozitë LSDM, e cila ka kërkuar rebalanc të buxhetit shtetëror.

Nevojitet të bëhet rebalanc i buxhetit, ngase zhytja në borxhe të reja dhe harxhimi i mjeteve nga arka e shtetit për qëllime joproduktive nga ana e qeverisë, si edhe rritja e deficitit buxhetor të Maqedonisë, vendin është duke futur në një zonë të rrezikshme që është e paqëndrueshme. Hapi i parë për zvogëlimin e deficitit buxhetor është rebalanci i buxhetit”, është shprehur Vanco Uzunov, nënkryetar i LSDM.

Por me këtë nuk pajtohet ministri i Financave të Maqedonisë Zoran Stavrev duke theksuar se likuiditeti i buxhetit është në nivel të lartë dhe pa kurrfarë problemi shlyhen të gjitha obligimet që ka shteti ndaj firmave, dhe të gjithë atyre që shfrytëzojnë mjete nga arka shtetërore.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë thonë se kërkesa e opozitës për rebalanc të buxhetit është me vend por nuk paraqet ndonjë masë që do të ndryshonte gjendjen e rëndë faktike në planin ekonomik.

“Ajo që duhet për momentin është fakti që Qeveria të mendon më me seriozitet se kjo politikë që e bën kjo qeverisje për shtatë vite me radhë prodhon vetëm krizë, pra nuk është se ka ndonjë vlerë shtesë . Edhe Banka Botërore e thotë atë që ne e theksojmë me vite se këto shpenzime joproduktive që i bën shteti dhe nëse nuk ndalohet me prishjen e parave të qytetarëve në mënyrë kaq të vrazhdë vendi futet në një zonë që çon kah recesioni”, thekson Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

Edhe opozita ka propozuar një varg masash për stimulimin e kompanive vendore përmes subvencioneve dhe lehtësimeve të ndryshme nga ana e shtetit, veçanërisht për ata kompani vendore të cilat prodhimet e tyre i plasojnë jashtë shtetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG