Ndërlidhjet

SHBA: Obama ende e analizon çështjen e trupave në Afganistan


Afganistan
Afganistan
I dërguari i Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe Pakistan, James Dobbins, thotë se presidenti Barack Obama, ende po e analizon çështjen e opsioneve ushtarake për Afganistanin, pas tërheqjes në vitin 2014.

Zoti Dobbins i tha Komiteti për marrëdhënie të jashtme të Senatit, se Uashingtoni nuk do t’i lë të vetmuar afganët, derisa ata e ndërtojnë vendin e tyre.

Natyrisht, pa një marrëveshje me qeverinë afgane për praninë e trupave tona në Afganistan, ne nuk do të mbetemi atje. Por, ne nuk besojmë se kjo është me gjasë finalja e këtyre negociatave. Për dallim nga Iraku, me të cilin shpeshherë është bërë krahasim, afganëve aktualisht u nevojitemi që ne të mbesim”, tha Dobbins.

Ai theksoi se Uashingtoni është i përkushtuar për partneritet afatgjatë strategjik me Kabulin.

Plani aktual parasheh një forcë të vogël stërvitore amerikane, që të mbetet në Afganistan, pasi trupat luftarake të tërhiqen në fund të vitit 2014.

Por, Shtëpia e Bardhë e ka lënë të hapur mundësinë e “opsionit zero”, sipas së cilit në Afganistan, pas 2014-të nuk do të mbetej asnjë ushtar amerikan.

Gjatë seancës së dëgjimit, ligjvënësit e kanë kritikuar mungesën e qartësisë së administratës.

Kryesuesi i këtij komiteti, senatori Robert Menendez, demokrat nga Nju Xhersi, i ka bërë thirrje presidentit Barack Obama, për t’i paraqitur detajet e vendosjes së ardhshme të propozuar të trupave të Shteteve të Bashkuara.

Për pjesën tonë, besoj se presidenti Obama duhet të sinjalizoj tek afganët dhe aleatët tanë se si do të duket prania e Shteteve të Bashkuara pas 2014-ës, e cila do të jetë në harmoni me marrëveshjen për siguri. Mungesa e qartësisë në këtë pikë, ka çuar në shumë ndarje në rajon. Afganët, që nga ana tjetër, mund të jenë të interesuar në ndërtimin e demokracisë së re, dëshirojnë të dinë se ata nuk do të braktisen nga Shtetet e Bashkuara, ashtu siç pretendojnë talibanët”, tha Menendez.

Muajin e kaluar presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, i supsendoi negociatat për një marrëveshje sipas së cilët do të rregullohej prania pas vitit 2014, pasi Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kishin planifikuar bisedime për paqe.

Senatori Bob Corker, republikan nga shteti Tenesi, i ka bërë thirrje administratës, që të shikoj përtej Karzait, i cili do ta përfundoj mandatin e tij të dytë dhe të fundit në muajin Prill të vitit të ardhshëm.

“Karzai është me gjasë lideri më i frustruar botëror, me të cilin ne jemi marrë për një kohë të gjatë. Ai është irracional. Është vështirë të besohet në gjërat në të cilat beson ai. Por ai tash me të vërtetë beson se ne jemi në marrëveshje të fshehtë me Pakistanin, në përpjekje për ta destabilizuar vendin. Kjo është diçka si çmenduri”, tha senatori Corker.

Zoti Dobbins tha se misioni i ardhshëm ushtarak amerikan në Afganistan nuk do të kërkojë numër të njëjtë të ushtarëve sikur gjatë dekadës së fundit.

Sipas tij, misioni eventual ushtarak i Shteteve të Bashkuara, pas vitit 2014, me gjasë, do të fokusohej në goditjen e mbetjeve të al-Kaidës.

Aktualisht në Afganistan shërbejnë afro 66 mijë trupa amerikane. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG