Ndërlidhjet

Ashton inkurajon amnistinë, nuk përfshihet në përmbajtje


Catherine Ashton me Hashim Thaçin
Catherine Ashton me Hashim Thaçin
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, është shprehur e kënaqur me procesin e deritashëm të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ashton po qëndron në Prishtinë, me ç’rast ka zhvilluar takime me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Ndërkaq ka takuar edhe liderët e partive opozitare, Isa Mustafa - LDK dhe Ramush Haradinaj -AAK gjatë një dreke pune.

Kurse, në këtë takim ka munguar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Pas takimit me kryeministrin Thaçi, baronesha Ashton është shprehur shumë e kënaqur me arritjet në dialogun Prishtinë – Beograd, të cilin po e ndërmjetëson pikërisht vet ajo.

Sipas saj, ky dialog ka bërë që në Kosovë sot të shihen shumë ndryshime pozitive. Kurse ndryshimi dhe zhvillimi më i rëndësishëm sipas baroneshës Ashton është pikërisht marrëveshja me Serbinë.

“Marrëveshja politike është përkthyer në veprime të duhura praktike për zbatimin e saj”, ka thënë Ashton.

Ajo ka falënderuar në disa raste kryeministrin Thaçi për rolin e tij në këtë dialog, si edhe ekipet punuese teknike të cilat kohë pas kohe i vazhdojnë punimet në Bruksel.

Mirëpo, para se të ndërmerren edhe disa hapa konkret drejt zbatimit të Marrëveshjes me Serbinë në pjesën veriore të Kosovës, palët e konsiderojnë si të domosdoshëm miratimin e Ligjit të Amnistisë.

E pyetur nga gazetarët se a është e informuar që qeveria përmes ligjit të amnistisë ka përfshi edhe vepra të kryera jashtë territorit të veriut, Ashton tha se nuk dëshiron të përzihet në çështjet që i takojnë Qeverisë së Kosovës.

Por, sipas saj, me zbatimin e këtij ligji do të tregohet përkushtimi i Prishtinës për zbatimin e marrëveshjes.

“Unë nuk dua të përfshihen në atë se si mendojnë qeveria dhe kryeministri t’i qojnë para çështjet që u takojnë atyre. Mirëpo interesimi im është që të sigurohemi që ajo për të cilën është arritur marrëveshje të zbatohet. Shpresojmë që zbatimi i Ligjit do të jetë demonstrim i përkushtimit jo vetëm të qeverisë por edhe Kuvendit”, është shprehur Ashton.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nuk është Kosova e para që po miraton Ligjin mbi amnistinë.

Sipas tij, një ligj i tillë është më se i nevojshëm për zbatimin e marrëveshjes me Beogradin. Ndërkaq kundërshtarët e këtij ligji i ka ftuar ta lexojnë atë më mirë dhe të informohen drejtë rreth përmbajtjes së tij.

“E di se ka pasur keqkuptime dhe keqinterpretime të ndryshme, herë të motivuara politikisht, por edhe mos-informime të ndryshme. Por, në rrethana çfarë jemi ne, duke e respektuar edhe Marrëveshjen e 19 prillit, Ligji për amnisti është i nevojshëm, është i domosdoshëm dhe të njëjtën kohë është një standard i marrëveshjeve politike çfarë është edhe ajo e 19 prillit”, ka thënë Thaçi.

Para vizitës në Prishtinë, Ashton ka qëndruar edhe në Beograd.

Tani kur ka përfunduar takimet me të dy kryeministrat, atë të Kosovës dhe Serbisë, Ashton ka thënë se ndihej e kënaqur që të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë të vazhdojnë dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve me intensitetin e njëjtë edhe gjatë stinës së verës.

Në këtë funksion ajo i ka ftuar kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq të zhvillojnë edhe takimit tjetër, të 14-in me radhë në Bruksel në fund të këtij muaji.

Ndryshe, gjatë kësaj vizite, Catherine Ashton ka deklaruar po ashtu se në Prishtinë ka ardhur që të paraqes edhe vendimin e Këshillit Evropian për miratimin e nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si një hap vendimtar që dëshmon se Brukseli i ka ofruar Kosovës perspektivën e qartë evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG