Ndërlidhjet

Kosovë: Zgjedhjet lokale më 3 Nëntor


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
Zgjedhjet e ardhshme komunale në Kosovë do të mbahen më 3 Nëntor të këtij viti, ka njoftuar presidenca e Kosovës.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, i tha Radios Evropa e Lirë se në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të saj, presidentja ka caktuar që me 3 Nëntor 2013, në gjithë Kosovën të mbahen zgjedhjet lokale.

Presidentja Jahjaga, në konsultimet përmbyllëse me liderët politikë, vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës, theksohet në njoftimin e presidencës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se zgjedhjet komunale duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira ku secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, mund të shpreh vullnetin e tij lirshëm përmes votës së tij.

Ajo ka theksuar se përfshirja në zgjedhjet komunale e qytetarëve të komunitetit serb, të komunave në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do t’u mundësojë atyre zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legalë e legjitim, të dalë nga vota, që do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe obligim për të përcaktuar të ardhmen e tyre.

Pjesëmarrja e qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet komunale do t’u jap atyre mundësinë që të ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies dhe të përmirësojnë jetën e tyre, thuhet në fund të deklaratës së presidentes Atifete Jahjaga.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG