Ndërlidhjet

Rusmali: Lidershipi arrogant çoi në humbje PD-në


"Kryetari i Partisë, kryeministri i vendit, e prezantoi fushatën si betejën e tij personale. Fitorja dhe humbja këtë herë mund të kishin vetëm një emër, emrin e tij. I gjithë lidershipi i PD-së pranoi me kënaqësi të zhdukej nga faqja e dheut, të zhbëhej, të vihej në bisht. E vunë re shqiptarët, e vuri re dhe media. Kjo nuk është platformë, nuk është program. Kjo është mënyrë sjellje, që nuk është çudi të jetë etiketuar nga votuesit si arrogante", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ilir Rusmali.


RADIO EVROPA E LIRË
PD pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe, pa kaluar një javë, nisi një proces të shpejtë rigjenerimi me hapjen e fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri. Çfarë prisni ju nga ky proces?

ILIR RUSMALI
Përgjigja e pyetjes është mjaft komplekse dhe e vështirë. Ju flisni për zgjedhjen e kryetarit të ri ndërkohë që demokratët ende nuk kanë marrë veten nga humbja tronditëse e zgjedhjeve politike.

Ende nuk ka një përgjigje të saktë, të besueshme dhe të gjithëpranuar për shkaqet e humbjes dhe, nëse përkthej saktë fjalët e kryetarit Berisha në mbledhjen e kryesisë, me të cilën nisën procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri, nuk pritet që kjo të ndodhë deri në përfundim të procesit.

Analizën e zgjedhjeve do ta bëjë kryetari i ri dhe forumet që do të përzgjedhë ai, pas zgjedhjes së tyre, gjithnjë nëse ata do ta shohin të arsyeshme të merren me këtë punë. Berisha e konsideroi zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë si fillimin e ri për partinë, si fillimin e kthesës, si fillimin e fitores.

Por fakti që analiza e humbjes nuk po i paraprin procesit bën që zgjedhja e kryetarit të mos bëhet dot fillimi, kapitulli i parë i fitores, por të ngelet kapitulli i fundit (ose i radhës) i humbjes, gjë që e bën gjithë procesin të panatyrshëm dhe joracional.

RADIO EVROPA E LIRË
I panatyrshëm dhe joracional vetëm pse nuk po ndiqet radha?

ILIR RUSMALI
Sigurisht. Në qoftë se nuk ndiqet radha do të thotë se ende nuk dihen arsyet përse humbëm, ose përse humbëm kaq thellë, do të thotë se askush nuk mund të thotë me siguri se zgjedhja e shpejtë e kryetarit të ri është shpëtimi, apo është thellimi a degjenerimi i së keqes, se shkaku i humbjes qëndronte tek udhëheqësi, siç tha Berisha, apo tek gjithë ekipi drejtues, tek programi elektoral, apo tek metodologjia, tek objektivat e shpallura, apo tek mesazhet e papëlqyeshme.

Në qoftë se nuk ndiqet radha dhe nuk nxjerrim mësime nga humbja tronditëse, atëherë rrezikojmë që zgjidhja që do i ofrojmë demokratëve dhe shqiptarëve në fund të procesit të jetë saktësisht e kundërta e asaj që presin ata. Nëse ata presin drejtimin e ri, ne mund tu ofrojmë një drejtim akoma më të vjetër. Nëse ata presin liderin e panjollë, ne mund tu dhurojmë liderin e përlyer. Nëse ata presin udhëheqësin e fortë, karizmatik, largpamës, të pavarur, të vendosur e energjik, ne mund tu ofrojmë udhëheqësin kukull, pa shpirt, pa vizion, pa autoritet e anemik.

Por jo vetëm kaq. Unë kam frikë se nxitimi për të përmbyllur me shpejtësi procesin rrezikon ta dështojë vetë atë. Procesi rrezikon të bëhet formal, i paracaktuar, pa konkurrencë reale autoritetesh dhe vlerash, fals e teatral. Procesi rrezikon të përcillet me mosbesim e indiferencë nga demokratët dhe shqiptarët, për pasojë, të mos i bindë ata. Pasoja, nëse ndodh kështu është devastante. Vetëm se kjo nuk ka për tu vënë re tani. Do të vihet re në zgjedhjet e radhës për pushtetin lokal dhe, akoma më shumë në zgjedhjet e ardhshme politike. Humbësi i parë i këtij nxitimi dhe kësaj mendjelehtësie, pa dyshim që do jetë, kryetari i ri i partisë. Përfituesi më i madh prej tij do jetë pa dyshim kundërshtari ynë politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Si duhet vepruar atëherë, sipas jush?

ILIR RUSMALI
Duke bërë analizën e humbjes. Pa vonesë! Me vendosmëri!

RADIO EVROPA E LIRË
Pse nuk e provoni ju njëherë? Cila është analiza juaj?

ILIR RUSMALI
Gjatë këtyre ditëve analistët janë përqendruar shumë në arsyetimin se humbja ishte pasojë e arrogancës edhe pse këtë term e kanë interpretuar në mënyra të ndryshme. Unë e di se leximi është gjithmonë personal, por unë besoj se fakti që ata konkordojnë në masë e bën këtë lexim të saktë e të besueshëm. Prandaj dhe sot po preferoj t’i përgjigjem pyetjes jo duke dhënë përjetimin tim, analizën time, por duke sjellë në vëmendje përjetimin dhe arsyetimin e analistëve.

Ata janë goja e opinionit publik. Analiza e tyre është më gjithëpërfshirëse. Vota-ndëshkim për arrogancën do të thotë lehtësisht se ndëshkimi nuk kishte lidhje as me ekonominë, as me pagat, as me shëndetësinë, as me rrugët, me një fjalë as me arritjet, as me premtimet. Ndëshkimi kishte lidhje me sjelljen e lidershipit (këtu nuk kam parasysh vetëm Berishën edhe pse ai, jashtë çdo dyshimi, ka qenë shtylla kurrizore e fushatës).

Këto ditë më ka bërë shumë përshtypje një koment-dëshmi e analistit të mirënjohur Blendi Fevziu. Fevziu ka reputacionin e merituar të një gazetari të mirëinformuar edhe për gjëra që opinioni mund të mos i mësojë kurrë në jetë. Fevziu dëshmonte në një shkrim të para disa ditëve se në mesin e muajit prill (pak para fillimit të fushatës) PD-ja ishte sipas sondazheve 5 pike pas PS-së (koalicionet e kam fjalën). Është e vetëkuptueshme se kjo diferencë e rikuperueshme mund ti ngarkohet në shpinë konsumit që të vjen nga qeverisja.

Por këto sondazhe e nxirrnin PD-në 12 ditë përpara datës së zgjedhjeve 16 pike pas PS-së. Kjo do të thotë se në një muaj fushatë me ne kishte ndodhur një katastrofë e vërtetë, që të mund të justifikojë rënien vertikale. Prandaj pyes veten çfarë kemi bere me sjelljen tone (me sjelljen, jo me programin, as me angazhimet e fushatës) që paskemi shkaktuar tërmet tek njerëzit dhe jemi shfaqur përpara tyre si arrogantë të papranueshëm? Të tjerë mund të rreshtojnë më shumë, por unë mund të rreshtoj vetem kaq:

Kryetari i Partisë, kryeministri i vendit, e prezantoi fushatën si betejën e tij personale. Fitorja dhe humbja këtë herë mund të kishin vetëm një emër, emrin e tij. I gjithë lidershipi i PD-së pranoi me kënaqësi të zhdukej nga faqja e dheut, të zhbëhej, të vihej në bisht. E vunë re shqiptarët, e vuri re dhe media. Kjo nuk është platformë, nuk është program. Kjo është mënyrë sjellje, që nuk është çudi të jetë etiketuar nga votuesit si arrogante.

Kryetari i partisë vetë, pa ndihmën dhe as kundërshtimin e kurrkujt hartoi listat e kandidatëve jashtë çdo lloj parimësie dhe justifikimi moral, politik dhe ligjor. Futi në listat e PD-së eksponentë të spikatur apo tejet agresiv të së majtës dhe u kërkoi demokratëve të votonin në mënyrë të kundërnatyrshme për ta, futi në lista pa pasur fare nevojë kryetarët e partive të tjera dhe u kërkoi demokratëve t’i mirëprisnin ata sikur të ishin demokratë. Këto veprime mesa duket u lexuan menjëherë nga demokratët si veprime qe i hiqnin PD-së së paku 100 mijë vota. Edhe kjo ishte sjellje, jo platformë apo program.

Së fundi, mbushi pjesën tjetër të listave vetëm në bazë të një kriteri: të klientelizmit. Këtu nuk po ndalem gjatë, se bëj pjesë tek të pakënaqurit dhe do më quajnë në konflikt interesi. Por ama duhet të theksoj se edhe kjo sjellje u interpretua qartazi dhe gjerësisht si arrogante.

Sjellja e fundit që unë kam mundur të identifikoj është fakti se, që në fushatë dhe jashtë çdo lloj konteksti, Kryetari i partisë dhe media rreth tij u përpoq të profilizonte trashëgimtarin që Kryetari kishte caktuar për demokratët. Me këto zgjedhje demokratët po lidhnin pazgjidhshmërisht jo vetëm qeverisjen, por edhe fatin e tyre politik.

Edhe pse mund të duket cinike, demokratët dukeshin të lënë pa alternativa dhe pa mundësi zgjedhjeje. Edhe kjo është jashtë çdo lloj dyshimi sjellje që është përcjellë si arrogante. Që të mos ta zgjas shumë, nëse opinionistët thonë është arroganca, atëherë arroganca duhet kërkuar tek gjestet. Nëse demokratët na kanë votuar kundër, atëherë, gjeste arrogante janë ato që kanë zemëruar demokratët.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe si mund ta ndihmoje kjo analize procesin për zgjedhjen e kryetarit te ri?

ILIR RUSMALI
Le të shohim se ç'po ndodh: Procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri duhet të përjetohet nga demokratët si një proces shërimi, nëse duam që ai të jetë pozitiv. Duhet të përcillet jo si arrogancë e re, por si përulësi e thellë, pse jo si ndjesë e kërkuar me zemër në dorë dhe me shpresë për mirëkuptim. A është i tillë në fakt procesi deri tani? Ti marrim gjerat me radhe:

Kryetari i partisë ka dhënë dorëheqjen, por procesi po drejtohet nga fillimi deri në fund prej tij (shenjë e keqe). Lista e deputetëve ishte pjesë thelbësore e pakënaqësisë popullore, por kryetari i partisë deklaron se procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri do të ketë në bazë këtë listë famëkeqe (shenjë e keqe dhe kjo).

Kandidati i projektuar si fitues është po ai trashëgimtari i fushatës. Për të jemi gati të ndryshojmë procedurat statusore, të mbajmë në kontroll të rreptë partinë, të ndërhyjmë sa herë ka nevojë për t’i sheshuar rrugën, ti krijojmë konkurrencë falso etj (shenjë e keqe dhe kjo).

Nëse do vazhdojmë të veprojmë me të njëjtën arrogancë me të cilin humbëm zgjedhjet, atëherë pësimi nuk do na bëhet dot mësim, zgjedhja e kryetarit të ri nuk do bëhet dot “fillim i ri”, do ngelet kapitull i vjetër, i lexuar dhe më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ç'duhet të ndodhë me zgjedhjen e kryetarit, sipas jush që të konsiderohet fillim i ri?

ILIR RUSMALI
Procesi duhet të bëhet i vërtetë, të jetë transparent dhe konkurrues, të marrë kohë, të bëhet i pjekur dhe me procedura të sakta, pa ndërhyrje, ndikim të parregullt e manipulime. Procesi duhet t’i nënshtrohet debatit të fortë në publik midis kandidatëve dhe mbështetësve të tyre. Partia duhet të hapet për mbështetësit e të gjithë kandidatëve, shqiptarët duhet të shoqërojnë procesin me opinione, anësi, komente, sondazhe, pse jo me votim.

Sa më masiv dhe përfshirës të jetë ky proces, aq më shumë sinergji pozitive kanë për tu çliruar, aq më e shëndoshë dhe e forte do mund të dalë në fund të tij partia, aq më shpejt do mund të rikuperojë ajo nga humbja. Këto që unë them nuk janë as shpikje, as sakrilegj, as të majta, as të djathta, as të panjohura më parë. Janë dije universale, janë praktika të mira politike dhe partiake.

Por që procesi të jetë i vërtetë, ai duhet të fillojë nga analiza serioze dhe e çiltër e humbjes sonë dramatike. Pa të nuk fillon dot shërimi. Pa të zgjedhja e kryetarit të ri nuk çlirohet dot nga paragjykimi. Pa të nuk i shpëtojmë dot arrogancës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG