Ndërlidhjet

Dilemat e ratifikimit të marrëveshjes


Pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje vendosën mbishkrimin "Marrëveshja me Serbinë", pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Kjo foto u bë disa minuta para se t'i vihej zjarri këtij mbishkrimi më 18 qershor.
Pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje vendosën mbishkrimin "Marrëveshja me Serbinë", pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Kjo foto u bë disa minuta para se t'i vihej zjarri këtij mbishkrimi më 18 qershor.
Kuvendi i Kosovës pritet të vë në shqyrtim të enjten më 27 qershor, çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Por, dilemat janë shtuar nëse marrëveshja duhet të ratifikohet, pasi që një veprim të tillë nuk e ndërmerr edhe Serbia.

Megjithatë, deri në një vendim tjetër, mbetet që Kuvendi të shqyrtojë ratifikimin në seancën e te enjtes.

Në bazë të qëndrimit aktual, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se marrëveshja pritet t’i nënshtrohet procedurës së ratifikimit.

“Kjo marrëveshje do të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës. Ne kemi kërkuar që ratifikimi të bëhet sa më shpejt dhe ka qenë në interes tonin, por megjithatë ne e respektojmë vullnetin edhe të grupeve tjera parlamentare dhe është me rëndësi që ky proces nuk guxon të ndërpritet”, është shprehur Grabovci.

Me ratifikimin e marrëveshjes, përveç garancive ndërkombëtare, Kosova do të merrte obligime të brendshme ligjore për zbatimin e saj.

Edhe pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, zbatimi tashmë ka filluar në disa pika të saj përmes disa vendimeve që po marrin kohë pas kohe ekipet e përbashkëta punuese në Bruksel.

Lideri opozitar, Isa Mustafa, ndërsa ka konfirmuar gatishmërinë e Lidhjes Demokratike për të mbështetur këtë marrëveshje, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mbetet e vendosur në zbatimin e drejtë të saj, duke pretenduar se pala serbe përmes planit të zbatimit është munduar të devijojë në disa aspekte marrëveshjen e 19 prillit.

“Natyrisht që ka sfida dhe ka tentime nga Beogradi që të devijohen dhe që përmes planit të implementimit të ndryshohet karakteri i disa pikave të Marrëveshjes. Mirëpo, mbetet obligim i Qeverisë së Kosovës dhe komisioneve tjera që do të merren me implementimin e marrëveshjes që në mënyrë strikte t’u përmbahen pikave të marrëveshjes”, ka thënë Mustafa.

Marrëveshjet ndërkombëtare, në bazë të procedurave kryesisht ratifikohen nga të dyja shtetet.

Por, në rastin e bisedimeve Prishtinë - Beograd, një veprim të tillë po e ndërmerr vetëm Kosova, ngaqë Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet.

Deputeti Arsim Bajrami, njëri nga ekspertët më të njohur të çështjeve kushtetuese, mendon se Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjen vetëm nëse të njëjtën procedurë e ndërmerr edhe pala tjetër, përkatësisht parlamenti serb.

Marrëveshjet e tilla e marrin karakterin ndërkombëtar vetëm kur ratifikohen nga të dyja palët, ka thënë Bajrami.

“Marrëveshja do të merr atribute të marrëveshjes ndërkombëtare nëse njëkohësisht do të nënshkruhet nga dy shtete sovrane e të pavarura. Deri më tani nuk kemi parë një gatishmëri që i njëjti proces që po zhvillohet në Kosovë të zhvillohet edhe në Serbi, kështu që kërkojmë një presion nga Bashkimi Evropian që edhe Serbia të ratifikoj marrëveshjen”, është shprehur Bajrami.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse liderët e partive më të mëdha mund të ndërmarrin ndonjë veprim tjetër në lidhje me ratifikimin deri të enjten.

E në rast se vendoset përfundimisht të ketë ratifikim në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar të organizojë një demonstratë, siç e quan ajo, gjithë-popullore, në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje, të cilën e konsideron të dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesat e shtetit të Kosovës.

Marrëveshja për normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi, është arritur në kuadër të dialogut politik të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG