Ndërlidhjet

NATO mbështet zbatimin e marrëveshjes Prishtinë - Beograd


Philip Breedlove
Philip Breedlove
NATO mbështet zbatimin e marrëveshjes së arritur në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, ka thënë sot në Prishtinë, Komandanti Suprem i Forcës Aleate për Evropë, gjenerali Philip Breedlove.

Gjatë një konferencë të përbashkët me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Volker Halbauer të mbajtur në Aeroportin Ushtarak të Prishtinës, Breedlove e ka cilësuar si historike marrëveshjen e Brukselit.

Sipas tij, me këtë marrëveshje tashmë është hapur një dritare e paqes e stabilitetit të përhershëm në rajon.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim zbatimin e marrëveshjes historike e cila përfaqëson një hap konkret përpara për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë gjenerali amerikan, Breedlove.

Me këtë rast, ai u ka bërë thirrje e të gjithëve në rajon që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u siguruar se do të kulmojë në një stabilitet dhe siguri të përhershme për të gjithë dhe të gjitha gjeneratat e ardhshme.

“Ne kemi një mision të qartë përpara që ka të bëjë me një mjedis të sigurt dhe stabil për të gjithë, lirinë e lëvizjes së lirë dhe nëse mund të garantojmë këtë, atëherë njerëzit në rajon mund të lëvizin tutje dhe zbatojnë marrëveshjen e Brukselit”, është shprehur gjenerali Breedlove.

Ai tha se ka vizituar trupat e KFOR-it në veri të Mitrovicës të cilët i ka falënderuar, sikurse edhe të gjithë ushtarët e KFOR-it në misionin e tyre paqeruajtës në Kosovë dhe është shprehur krenar me ta.

Këta ushtarë, ka thënë gjenerali amerikan, do të mbeten në Kosovë për aq kohë sa do të ketë nevojë dhe përderisa popujt dhe kombet t’i marrin vendimet e nevojshme për të vendosur paqe e stabilitet në këtë pjesë të botës.

Ndërkaq, komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, gjenerali gjerman, Volker Halbauer tha se gjatë këtyre muajve, zakonisht i janë parashtruar pyetje se cili do të jetë roli i forcës shumëkombëshe si rrjedhojë e dialogut Prishtinë – Beograd dhe nëse marrëveshja e arritur do të ndryshojë me diçka misionin e KFOR-it në Kosovë.

“Përgjigja ime ka qenë gjithmonë e njëjtë, Nuk do të ketë ndryshime. KFOR-i do të ketë misionin dhe mandatin e njëjtë dhe do të vazhdojë të kontribuojë për një mjedis të qetë dhe sigurt dhe zhvillimet pozitive në procesin politik”, ka thënë Halbauer.

Komandanti i KFOR-it ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila po ngrihet dhe zhvillohet pikërisht nën autoritetin e NATO-s.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse FSK do të jetë një ushtri e Kosovës në të ardhmen, Halbauer tha se për hapat tutje do të vendoset nga autoritetet e NATO-s.

Është në kulturën e NATO-s, tha Halbauer, që të gjitha vendet anëtare të pajtohen, kështu që duhet të priten rezultatet dhe vlerësimet që do t’i japë Aleanca Veriatlantike.

Si një forcë paqeruajtëse nën komandën e NATO-s, forca shumëkombëshe e KFOR-it është vendosur në Kosovë që nga 12 qershori i vitit 1999 pas fushatës paraprake ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.

Fillimisht kjo forcë mblidhte në vete rreth 50 mijë ushtarë, kurse sot thuhet se ka diç më shumë se 5 mijë sish. Ky zvogëlim i trupave, sipas kreut të Forcës Aleate për Evropë tregon për hapat pozitiv që janë bërë në rajon dhe Kosovë në fushën e sigurisë dhe stabilitetit.
XS
SM
MD
LG