Ndërlidhjet

Sa rrezikohet haxhi nga virusi i ri i Lindjes së Mesme?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Disa grupe që organizojnë pelegrinazhin islamik, apo haxhin në Mekë janë të shqetësuar rreth përhapjes së një virusi të ri vdekjeprurës në Lindjen e Mesme.

Një nga to është Asociacioni i Haxhinjve Britanikë. Grupi me seli në Birmingham, që ofron udhëzime për pjesëmarrësit në haxh, po i paralajmëron udhëtarë e mundshëm, që të ndërmarrin masa kujdesi të veçantë para shkuarjes atje në tetor.

Khalid Pervez është sekretar i përgjithshëm i organizatës.

“Do të dëshironim që të paralajmërojmë ata njerëz që kanë imunitet të dobët që të mos shkojnë këtë vit në haxh. Për pjesën tjetër të njerëzve, rekomandojmë fuqishëm që të kontrollohen te mjeku para nisjes. Gjithashtu rekomandojmë, që derisa qëndrojnë në Arabinë Saudite t’iu përmbahen udhëzimeve higjienike. Ata nuk duhet të përdorin enët e kuzhinës dhe nuk duhet të kolliten derisa janë në mesin e turmës”, u shpreh Pervez.

Paralajmërimet janë pjesë e një vale shqetësimi mbi rritjen e numrit të të vdekurve nga virusi i njohur si koronavirusi respirator i Lindjes së Mesme (MERS-CoV).
Virusi, që u shfaq në rajon në vitin e kaluar, deri më tash ka infektuar më shumë se 50 njerëz duke shkaktuar vdekjen e më shumë se gjysmës së tyre.

Kjo është shifër shumë më e lartë sesa SARS-i, që kishte simptoma të ngjashme të pengedsave në sistemin e frymëmarrjes, i cili u përhap 10 vjet më parë në Azinë juglindore. SARS, që la të vdekur më shumë se 775 njerëz në epideminë globale në vitin 2003, ishte fatal për vetëm 10 të atyre që u infektuan.

Por, derisa alarmi për virusin MERS-CoV – që i ngufat viktimat- është i lartë, ekspertët shëndetësorë thonë se tash ka nevojë vetëm për masat preventive normale.

Ian Jones, një professor i virologjisë në Universitetin Reading në Britani shpjegon:

“Këshilla ime për haxh aktualisht është se nuk duhet kushtuar rëndësi më shumë sesa këshillat që rekomandohen për turmat e mëdha, e kjo është higjiena personale duhet të jetë sa më e mirë që të jetë e mundur. Natyrisht duhet të kujdeseni edhe për higjienën e ushqimit, dhe në përgjithësi të shmangni situatat që duket të jenë të dyshimta sa i përket pastërtisë. Prandaj, mos e rrezikoni veten. Por, kjo aplikohet në një numër sëmundjesh ngjitëse, jo vetëm për këtë”, u shpreh ai.

Ekspertët shëndetësorë janë të inkurajuar me faktin se ka pasur një numër relativisht të vogël të rasteve të raportuara deri më tash, shumica nga to në Arabinë Saudite. Kjo sugjeron se virusi përhapet te njerëzit shumë më ngadalë sesa SARS-i 10 vjet më parë.

John Oxford, një profesor i virologjisë në Queen Mary College në Londër, vëren se rastet e para të infektimit me MERS janë zbuluar para haxhit të kaluar, në tetor të 2012. Por, nuk ka pasur shpërthim infeksioni në mes të pjesëmarrësve.

“Rastet e para janë gjetur në Lindjen e Mesme para haxhit të vitit të kaluar. Kanë qenë një apo dy raste para saj. Kjo sugjeron se virusi ka pasur një mundësi të përhapjes, nëse shikoni në këtë aspekt, por, nuk është përhapur. Kjo sugjeron, sipas mendimit tim, se ky virus nuk ka goditur, siç mund të bëjnë virusët tjerë, dhe duhet të jemi mirënjohës për këtë”, u shpreh Oxford.

Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë, janë të kujdesshëm, pasi që shumica e pyetjeve mbi virusin kërkojnë ende përgjigje. Kjo përfshin atë se nga vjen, si ka kaluar te njerëzit, dhe sa lehtë mund të përhapet në mes të njerëzve.

Hulumtuesit dyshojnë se bartës të virusit janë lakuriqët e natës, që sikurse speciet tjera shtazore, bartin virusin, që nuk i dëmton ata, por, mund t’i rrezikojë njerëzit.

Se si lëviz virusi nga lakuriqët te njerëzit nuk dihet, por rrugët e mundshme mund të jenë përmes ushqimit të kontaminuar, ose duke u marrë më shtazët, si dhitë apo devetë, që mund të jenë kafshuar nga lakuriqët dhe të jenë sëmurë.

Jones tha se disa nga rastet e raportuara tregojnë se virusi bartet nga një person te tjetri.

“Deri tash kanë qenë dy raste ku është bartur virusi, dhe në të dy rastet, pacientët e hospitalizuar kanë qenë në lidhje të ngushtë. Andaj, mendoj se bartja e virusit në rrugë natyrale mes njerëzve është e dobët. Në fund të fundit, nga të gjithë pacientët që kanë kontaktuar shumë njerëz në rrugë, në fluturime, që kanë pasur kontakte ne familje, para se të hospitalizoheshin, me sa dimë ne, asnjëri nuk është infektuar nga këto kontakte”, u shpreh Jones.

Dy raste të infektimit janë shënuar në spitalet në Britani dhe Francë. Nuk dihet nëse infektimi ka ndodhur për shkak të përdorimi të hapësirës së njëjtë, apo përdorimit të pajisjeve të kontaminuara.

Të dy rastet e infektimeve në Britani dhe në Francë, sikurse edhe një në Gjermani, janë bartur nga udhëtarët e Lindjes së Mesme.

Arabia Saudite supozohet të jetë epiqendra e përhapjes, dhe virusi është gjetur në Jordani, Katar, Tunizi dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një jordanez që punonte në një hotel në Florencë të Italisë, është rasti më i fundit i konfirmuar, ku mbesa e vogël e tij dhe një kolege janë hospitalizuar gjithashtu.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dërguar një ekip në Arabinë Saudite në këtë muaj për të bërë një vlerësim të rrezikut para haxhit dhe për të sugjeruar mënyrat që e minimizojnë këtë rrezik.

Agjencia e OKB-së aktualisht nuk rekomandon ndonjë kufizim për mbretërinë ose kontroll të detajuar të udhëtarëve në aeroporte.

Haxhi, që çdo vit mbledh 2 milionë njerëz në Mekë nga tërë bota, këtë vit do të mbahet në mes të 13 dhe 18 tetorit.(a.isufi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG