Ndërlidhjet

Në mbrojtje të UÇK-së, kundër EULEX-it


Dhjetëra autobusë i shkarkuan udhëtarët prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, që kishin ardhur për të kërkuar lirinë e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë ka vendosur në orët e para të së shtunës, masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për shtatë të ndaluarit nën dyshimet se kanë kryer krime lufte, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në të burgun e supozuar të Likovcit.

Në mesin e të dyshuarve për krime lufte është edhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli.

Me flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën organizimin e shoqatave të dala nga lufta, mijëra qytetarë kanë protestuar të hënën kundër misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

“UÇK! UÇK! Poshtë EULEX-i! Poshtë EULEX-i! Nuk kanë ccka bëjnë tanët me EULEX-in! Rroftë UÇK-ja!” thërriste me zë kryetari i Veteranëve të Luftës në Drenas, Enver Hajdari.

Rrahman Ramadani, kishte nxjerr nga dollapi uniformën e ushtarit, dhe flamurin e UÇK-së, dhe nga fshati Zajqevc iu bashkua protestës në Prishtinë.

“Kjo është një përkrahje për luftën e drejtë tonën të UCK-së. Po i ndjek padrejtësisht EULEX-i, e ka një fushatë të egër kundër ushtarëve, sidomos kundër ushtarëve të lirisë”, tha Ramadani për Radion Evropa e Lirë, ndërsa argumenton se misioni evropian po bënë ndjekje shtrigash.

Po pse nuk po bënë kur njëfarë hapi për t’i ndjekur kriminelët serbë, por veç këta tanët, pa bërë kurrë njëfarë krimi, pa pas kurrë njëfarë argumenti?!”, tha ish-ushtari i UÇK-së.

Smajl Elezaj, që vepron si nënkryetar i Organizatave të Veteranëve të UÇK-së, tha para protestuesve se veprat për të cilat akuzohen komandantët e UÇK-së, paraqesin, siç tha ai, “baltosje të dëshmorëve të kombit dhe luftëtarëve të gjallë”, dhe se me këto veprime po cenohet liria dhe siguria.

“Jemi në momente kritike, po kanosemi nga ajo që nuk e kemi dëshiruar asnjëherë. Kosova si shtet po kanoset nga destabilizimi, dhe jemi në rrezik që të gjithë ato që ndërtuam bashkërisht, do të shkatërrohet”, porositi Elezaj.

Kjo gjendje, sipas veteranëve është e patolerueshme, andaj organizatat e dala nga lufta, duan që qeveria t’ua dëgjojë zërin.

“Për këtë arsye, sot më shumë se kurrë, na duhet unifikim i përpjekjeve dhe qëndrimeve, që Kosova si shtet të bëjë hapin më të mirë që ka bërë prej shpalljes së pavarësisë, të merr vendim për ndërprerjen e misionit të EULEX-it, në të kundërtën do të jetë vështirë të mbahet nën kontroll zemërimi i luftëtarëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”, tha Elezaj.

“Ne sot u tubuam në paqe, në një protestë paqësore, dinjitoze. Por nuk jemi në gjendje të japim asnjë garanci, për veprime që mund të ndodh më pas, thirrjes së kaluar”, shtoi ai.

Porosi për EULEX-in dha edhe aktivisti Adem Demaçi, i cili uroi që Evropa do ta sheh të vërtetën...

“Presim nga kjo Evropa ta shohin të vërtetën si duhet, dhe të veprojnë ashtu si duhet, e të mos bëjnë gabime, që ta cojnë popullin në këmbë, e të bëhet populli me forcë. Ne e kemi dëshirë që këto probleme të zgjidhen në mënyrë si duhet, të zgjidhen në mënyrë paqësore, në mënyrë njerëzore, në mënyrë të drejtë...Ne luftuam për lirinë tonë, dhe ne nuk mund të jemi kriminel”, tha ai.

Protestës iu bashkua edhe një deputete e Partisë Demokratike të Kosovës. Xhevahire Izmaku tha për Radion Evropa e Lirë, se thirrja e veteranëve drejtuar qeverisë për rishikim të mandatit të EULEX-it, duhet marr seriozisht.

“Është absurd të thirren liderët e UÇK-së dhe të akuzohen për krime lufte. Derisa në anën tjetër, dihet që s’ka bërë asnjë hap për kapjen e kriminelëve, që edhe janë të identifikuar. Konsideroj se është shumë i ngutshëm veprimi që ka bërë EULEX-i dhe absolutisht duhet të rishikohet EULEX-i”, tha për Radion Evropa e Lirë deputetja Xhevahire Izmaku.

Veteranët e luftës së UÇK-së, përveç për EULEX-in patën porosi edhe për ata që besojnë se e ndihmojnë këtë mision në ngritjen e akuzave.

Smajl Elezaj, thotë se dëshmitarët kundër komandantëve po masin durimin e veteranëve, por se kësaj gjëje i ka ardhur fundi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG