Sipas një studimi të ri, dozat e larta të vitaminës C mund që shumë shpejt të mbysin bakteret që janë rezistente ndaj barnave, e të cilat shkaktojnë tuberkulozin.
Efekti befasues është demonstruar me kulturat laboratorike, por rrit mundësinë e gjetjes së një mënyre të re për të larguar vështirësitë e mbytjes së bakterit.
Një ekip i Kolegjit të Mjekësisë “Albert Einstein” në New York, ka bërë publike të martën gjetjet në një revistë online “Nature Communications”.
Në një video të lëshuar nga kolegji, autori i studimit, dr William Jacobs, e quajti rezultatin e testeve si “totalisht të papritur”.
“Nuk besoja. Si është e mundur, që vitamina C ta mbysë tuberkulozin?”, pyet Jacobs.
Në studim, Jacobs dhe kolegët e tij thanë se kanë demonstruar se me një koncentrim të caktuar, vitamina C mund të sterilizojë kulturat e baktereve të tuberkulozit brenda vetëm pak javësh.
“Një nga gjërat që ju do të donit në një bari është që të keni bari që nuk sjell rezistencë. Deri tash ne kemi qenë të pasuksesshëm në izolimin e mutantëve rezistentë në vitaminën C, e cila është shumë e habitshme. Ky është pothuajse si një bari i ëndrrës, që do të donit ta keni, që nuk do të rezistojë kurrë”, shprehet Jacobs.
Autorët e studimit kërkojnë kërkime të mëtejme në përdorimin potencial të vitaminës C në trajtimin e tuberkulozit, duke theksuar se ajo është “jo e shtrenjtë, e sigurt për t’u përdorur dhe se mund të gjendet gjithandej”.
Nëse rezultatet arrijnë në provat klinike, studimi ngre mundësinë që vitamina C të përdoret së bashku me barnat tjera të tuberkulozit për të përshpejtuar trajtimin.
Dhe, duke gjetur mekanizmin, me të cilin vitamina C vret bakteret, shkencëtarët mund të tregojnë një rrugë premtuese për zhvillimin e barnave të reja të tuberkulozit.
Catherine Vilcheze, që është bashkautore e studimit, tha se “Nuk jemi duke thënë se vitamina C është kura për tuberkulozin. Por, ne duhet të shikojmë në gjetjen e mënyrave për të imituar mënyrën se si ajo vret bakteret e tuberkulozit (in vitro), sepse ajo është shumë, shumë e efektshme”.
Dr Ruth McNerney, nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë e Londrës, e quan studimin “interesant”.
E pyetur nga RFE/RL nëse përfundimisht vitamina C mund të kthehet në një bari, ajo shprehet:
“Këtë do ta dimë vetëm kur njerëzit të nisin ta provojnë. Ajo që studimi bën, është se na drejton në një drejtim të ri ndoshta për të shikuar në një fushë të re të zbulimit të barnave, për të cilën nuk kemi menduar më parë”.
Dr Daniela Maria Cirillo nga Instituti Shkencor San Raffaele në Milano, pajtohet me këtë.
“Është pothuajse e pamundur të parashikohet nxjerrja e ndikimit që mund të ketë studimi në trajtimin e tuberkulozit. Por, ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë që punojnë në këtë fushë”, u shpreh ajo.
Tuberkulozi, sëmundje e mushkërive, mbetet shkaktari kryesor i vdekjeve në botë.
Në vitin 2011, besohet se kanë qenë rreth 12 milionë raste me tuberkuloz, rreth 630 mijë prej tyre të tipit rezistues ndaj disa barnave.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1.4 milion njerëz vdiqën nga tuberkulozi atë vit. Më shumë se 95 për qind e vdekjeve ndodhën në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.(a.isufi)