Ndërlidhjet

A është virusi i ri shkak për alarm?


Ilustrim
Ilustrim
Ekspertët botërorë të shëndetësisë kanë shfaqur shqetësim për virusin e ri, nga i cili tashmë kanë vdekur 18 njerëz, në Gadishullin e Gjirit dhe është përhapur në Francë, Britani dhe Gjermani.

I ashtuquajturi koronavirus është i afërt me virusin SARS, nga i cili në vitin 2003, kanë humbur jetën afro 775 vetë.

Tashmë po bëhet një dekadë kur sëmundja SARS, që do të thotë Sindromi akut i rëndë respirator, u përhap nëpër Azi dhe më gjerë, duke i vrarë qindra njerëz dhe duke i ngritur shqetësimet për pandemi globale.

Tash, zyrtarët shëndetësorë janë shprehur të alarmuar për një virus të ngjashëm, i quajtur koronavirus, që është paraqitur në Gadishullin Arab, vjeshtën e kaluar.

Gregory Hartl, është ekspert i sëmundjeve epidemike në organizatën Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.

Lidhur me këtë virus, ai thotë:

Virusi është nga e njëjta familje si të dy virusët, ai i të ftohtit dhe SARS-i. Ky virus dallon pak nga të dy të përmendurit. Për momentin duket se është më pak i transmetueshëm se SARS-i dhe më pak i transmetueshëm se virusi i të ftohtit, por qartazi është më vdekjeprurës se të dy ata”, thotë Hartl.

Rastet e deritashme të kornavirusit janë më pak, vetëm 34 raste në Katar, Arabinë Saudite, Jordani, Pakistan, Britani, Gjermani dhe Francë.

Por virusi, që mund të shkaktojë simptome sikur pneumonia e rëndë dhe dëme në veshkë dhe organe të tjera, i ka vrarë më se gjysmën e të infektuarve, pra është më vdekjeprurës se SARS-i, nga i cili kanë vdekur afërsisht 10% të të sëmurëve.

Burimi i virusit është ende i panjohur, megjithëqë besohet se origjinën e ka në shtazë, me gjasë në lakuriqët e natës, qengja dhe deve.

Por, zyrtarët shëndetësorë thonë se koronavirusi, sikur SARS-i, po ashtu, duket se është i aftë për transmetim nga njeriu në njeri, në mënyrë që infektimi të përhapet më lehtë.

Shqetësimet lidhur me transmetimin prej njeriut në njeri, janë theksuar këtë fundjavë, kur zyrtarët në Francë e konfirmuan se një pacient i spitalit e ka marrë virusin pasi ishte në të njëjtën dhomë me njeriun, që ishte sëmurë pas një udhëtimi në Dubati, dhe më vonë u diagnostikua me koronavirus.

Transmetimi nëpër ajër do të thotë se virusi paraqet kërcënim potencial për secilin që ka kontakt me të infektuarin nga ky virus, për një periudhë të caktuar kohore.

Por, eksperti Gregory Hartl, thotë se virusi nuk ka aftësi për ta infektuar gjithë komunitetin përnjëherë.

“Ju duhet të jeni dhënës i kujdesit, ose dikush që ka sasi të madhe të kohës afër personit të infektuar, për ta marrë sëmundjen. Nëse ju ecni rrugës dhe e kaloni dikë, që e ka këtë sëmundje, gjasat janë të larta që ju do ta keni këtë sëmundje. Për këtë arsye ne mendojmë se ky virus nuk përhapet në komunitetin e përgjithshëm”, thotë Hartl.

Por, paraqitja në skenë e virusit të ri i ka shtuar shqetësimet për një sëmundje të stilit të SARS-it me fuqi për të vrarë qindra ose edhe mijëra njerëz.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se kornavirusi është “një sfidë madhore dhe e rëndësishme” dhe e ka publikuar një seri të udhëzimeve për parandalim të sëmundjes, përfshirë edhe pastrimin e shpeshtë të duarve dhe përdorimin e maskave të fytyrës afër pacientëve të infektuar.

Por, profesori i bakteriologjisë në Universitetin Aberdin në Skoci, Hugh Pennington, thotë se paraqitja e koronavirusit është shkak për shqetësim, por jo për panik.

Njerëzit kanë lëvizur ndërkombëtarisht për mijëra vjet. Prandaj, më tepër i takoj pikëpamjes se këto viruse ekzistojnë, dhe ne i gjejmë ato pasi ne kemi teknikë më të mirë për identifikimin e tyre. Ne, po ashtu, jemi më të vetëdijshëm për to për shkak të raportimeve në media”, thotë Pennington. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG