Ndërlidhjet

Thaçi optimist për planin e zbatimit


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur optimist se në takimin e radhës me homologun e tij nga Serbia, Ivica Daçiq, do të arrihet dakordimi për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.

Takimi i radhës Thaçi – Daçiq, pritet të mbahet më 21 maj në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Thaçi ka thënë para kabinetit të tij qeveritar se pret që me palën serbe të merren vesh në lidhje me detajet e planit implementues të marrëveshjes, ku përfshihen afatet, veprimet, akterët dhe monitorimi i zbatimit.

“Besoj që do të arrihet marrëveshja në kuptimin e periudhave kohore implementuese dhe akterëve implementues që duhet të jenë institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-i, KFOR-i, OSBE-ja, dhe natyrisht në bazë të përgjegjësisë që del nga marrëveshja për krijimin e rrethanave lehtësuese edhe nga Serbia”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka deklaruar se në procesin e dialogut me Serbinë nuk mund të ketë kthim prapa.

Ndërsa e ka cilësuar si tejet sfiduese zbatimin e marrëveshjes, ai ka vlerësuar po ashtu se implementimi është çështje jetike dhe e domosdoshme për Kosovën.

“Qëllimi dhe vizioni ynë është që të punojmë sa më tepër me të gjithë qytetarët kudo që jetojnë pavarësisht dallimeve etnike. Të punojmë bashkë për realizimin e objektiva të përbashkëta edhe me serbët që jetojnë në veri, në mënyrë që të krijohen rrethana të reja demokratike, të organizimit të zgjedhjeve të lira, të vazhdojmë me investime socio-ekonomike, të krijojmë rrethana të reja për një jetë shumë më të mirë dhe më të sigurt”, është shprehur Thaçi.

Zbatimi i marrëveshjes i ka dhënë mundësinë Qeverisë së Serbisë që të ketë një rol aktiv, sidomos në pjesën veriore.

Në këtë frymë ishte realizuar edhe vizita e fundit e zëvendëskryeministrit Aleksandër Vuçiq në veri të Kosovës.

Ndërkaq në funksion të sensibilizimit dhe zbatimit të marrëveshjes, pritet që qeveritarët serbë të realizojnë shumë vizita tjera në të ardhmen.

Ky rol i Beogradit, nuk ka kaluar pa reagime të një pjese të opozitës në Prishtinë.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu ka kritikuar qeverinë dhe zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi për lejimin e këtyre vizitave.

“Ku e merrni ju legjitimitetin për të lejuar përfaqësuesit e Serbisë në Kosovë të cilët përditë po cenojnë rendin kushtetues të Kosovës?”, i është drejtuar deputetja Gashi, zëvendëskryeministrit Kuçi gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se zyrtarët serbë vijnë në Kosovë me leje që u lëshojnë autoritetet në Prishtinë dhe se ata janë të obliguar t’i respektojnë ligjet e Kosovës.

“Në raport me Serbinë kur vijnë zyrtarisht kërkojnë procedurat që duhet të respektohen sepse ndalen në kufi. Duhet të vijnë, t’i respektojnë ligjet dhe vendin tonë. Mos u bëni merak në këtë drejtim sepse ai (Vuçiq) kësaj radhe ka ardhur mirë i ka respektuar ligjet tona dhe procedurat. Atë duhet ta pyesni se përse e ka pranuar lehjen e Republikës së Kosovës e jo neve pse e kemi leju në vendin tonë”, ka thënë Kuçi.

Takimi i ardhshëm Thaçi – Daçiq rreth planit të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, pasoi dështimin e dy raundeve të bisedimeve në nivele më të ulëta politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tani të dy kryeministrat pritet të vendosin dhe eventualisht dakordohen për hapat e zbatimit në terren të 15 pikave të marrëveshjes, e cila kryesisht ka të bëjë me formimin dhe kompetencat e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Përparimet në finalizimin e marrëveshjes pritet të kenë efekte direkte për palët edhe në lidhje me avancimet e tyre drejt integrimeve evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG