Ndërlidhjet

Jolie: Zgjedhja ime mjekësore


Angelina Jolie
Angelina Jolie
Autore: Angelina Jolie

Nëna ime ka luftuar kundër kancerit për pothuajse një dekadë dhe vdiq në moshën 56 vjeçare, e fillon artikullin e saj në të përditshmen New York Times, aktorja e njohur e Hollivudit, Angelina Jolie, duke shpjeguar se nëna e saj kishte qëndruar mjaft gjatë sa të përjetoj lindjen e nipit të parë dhe ta mbajë atë në prehër.

Por, shkruan Angelina Jolie, fëmijët e mi të tjerë kurrë nuk do të kenë rastin ta njohin atë dhe të përjetojnë se sa e dashur dhe shpirtmirë ishte ajo.

Ne shpeshherë flasim për “nënën e nënës” dhe unë e gjeta vetveten duke u përpjekur të shpjegoj se sëmundja na e mori atë nga ne. Ata kanë pyetur se a mund të ndodhë e njëjta gjë me mua. Gjithnjë u kam thënë atyre të mos brengosen, por se e vërteta është se unë e kam një gjen “të gabueshëm”, BRCA1, që në masë të madhe e shton rrezikun për zhvillimin e kancerit të gjirit dhe të vezoreve.

Aktorja Jolie, shkruan në New York Times, se rreziku që të sëmuret nga kanceri i gjirit ishte 87% dhe 50% rrezik për kancer të vezoreve, megjithëqë rreziku është i ndryshëm në rastin e secilës grua.

Vetëm një fraksion i kancerit të gjirit rezulton nga mutacioni i gjenit të trashëguar. Ata me gabimin BRCA1 e kanë rrezikun në shkallën mesatare 65% që të sëmuren.

Në momentin kur e kam kuptuar se ky ishte realiteti im, vendosa të jem proaktive dhe ta minimizoj rrezikun sa më shumë që të mundem, shkruan Angelina Jolie në New York Times.

E mora vendimin për të pasur mastektomi të dyfishtë parandaluese. Fillova me gjinjtë, pasi rreziku për kancer të gjirit ishte më i lartë se sa rreziku nga kanceri i vezoreve, por edhe operacioni është më i ndërlikuar.

Më 27 Prill i përfundova procedurat tremujore mjekësore që involvon mastektomia. Gjatë kësaj kohe isha në gjendje ta mbaj këtë si çështje private dhe të vazhdoj me punën time.

Por, po e shkruaj këtë artikull tash, pasi shpresoj se gratë e tjera mund të përfitojnë nga përvoja ime. Kanceri ende është një fjalë që i tmerron zemrat e njerëzve, duke prodhuar ndjenjë të thellë të pafuqisë.

Por sot, shkruan Jolie në New York Times, është e mundshme që nëpërmjet testeve të gjakut të dihet se a ballafaqohen me rrezik të lartë për kancer të gjirit dhe vezoreve, e pastaj të merret aksion.

Procesi im ka filluar më 2 Shkurt, ndërsa pas dy javësh, e pata operacionin madhor, kur indi i gjirit u hoq dhe janë vënë filterët e përkohshëm. Operacioni mund të zgjasë tetë orë, dhe ju ecni me gypat për kullim dhe me zgjeruesit në gjinjtë tuaj. Jam ndjerë sikur në skenat e filmave imagjinativë shkencorë, shkruan Jolie.

Pas nëntë javësh, është kompletuar operacioni final me rikonstruktimin e gjinjve me implant. Gjatë pak viteve të fundit ka pasur shumë procedura të avancuara dhe rezultatet mund të jetë shumë të mira.

Kam dëshiruar ta shkruaj këtë artikull për t’iu thënë femrave të tjera se vendimi për mastektomi nuk ishte i lehtë. Por, jam shumë e lumtur që e kam bërë, shkruan Angelina Jolie në New York Times. Gjasat për zhvillimin e kancerit janë zvogëluar në vetëm 5%. Mund të ju them fëmijëve të mi se ata nuk duhet të frikësohen se do të më humbin mua nga kanceri i gjirit.

Angelina Jolie shkruan se është e lumtur që për partner e ka aktorin Brad Pitt, i cili është i dashur dhe mbështetës. Pra, për të gjithë ata që kanë gra ose dashnore, e të cilat e kanë këtë sëmundje, duhet ta dinë se janë pjesë shumë e rëndësishme e ndryshimeve.

Bradi ishte në Pink Lotus Breast Center, ku është trajtuar aktorja Jolie, për çdo minutë të operacionit. Gjenim momente për të qeshur së bashku, shkruan pos tjerash, Angleina Jolie, në një artikull të gjatë në të përditshmen New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG