Ndërlidhjet

Haradinaj: Mos ta gënjejnë më veten pushtetarët


Ramush Haradinaj, pas kthimit nga Tribunali ku u shpall i pafajshëm për herë të dytë, dhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili e kishte pritur në aeroport.
Ramush Haradinaj, pas kthimit nga Tribunali ku u shpall i pafajshëm për herë të dytë, dhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili e kishte pritur në aeroport.
Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se ka plan për ta rrëzuar qeverisjen, siç e quajti ai, të keqe në Kosovë, duke i treguar qytetarit të vërtetën.

Për këtë synim të tij, luti të gjithë simpatizantët dhe anëtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe delegatët që e rizgjodhën kryetar të partisë, të shtunën, që t’i tregojnë qytetarit drejt se AAK-ja po flet drejt dhe me vepra.

“Mos të vazhdojmë ta mashtrojmë veten më tutje, për çfarëdo qëllimi qoftë. Në fakt, qëllim më vete, qëllim kryesor për ne, duhet të jetë e vërteta. Ne duhet të punojmë në vazhdim, që të marrim besimin e qytetarëve tanë. Ne kemi marrë një besim të caktuar, falë punës suaj të çmuar. Por, na pret edhe më shumë punë, në mënyrë që të marrim besimin për të udhëhequr me komunat dhe vendin”, tha Haradinaj, gjatë fjalimit në Kuvendin e VI zgjedhor të AAK-së.

Sipas Haradinajt, Kosovës i duhet një ndryshim i madh në qeverisje, e cila nuk do të mendojë mbrapshtë se si të mbetet në pushtet, por që mendon për ndërtimin e një mirëqenieje të vërtetë të qytetarit, duke thurur plane të mirëfillta zhvillimi.

E kjo, sipas tij, bëhet vetëm duke respektuar ligjin.

Ramush Haradinaj (Foto nga arkivi)
Ramush Haradinaj (Foto nga arkivi)
“Ligji është ligj, vetëm kur s’ka mbi ligjin askush. Në rast se lejojmë të ketë njerëz mbi ligjin, atëherë nuk do të shkojmë rrugës së duhur. Besoj se Aleanca ka mjaft argumente, me veprimet e veta, përfshirë edhe të miat, se si dimë të respektojmë ligjin, se si dimë të fitojmë në bazë të ligjit dhe jo jashtë ligjit dhe mbi ligjin. I ftoj njerëzit e Kosovës që t’i besojnë kësaj të vërtete. Kjo është një e vërtetë që kapër të na ndihmuar në rrugën tonë”, theksoi Haradinaj.

Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës për 100 ditë, pasi dha dorëheqje nga pozita e tij, për shkak të ngritjes së një aktakuze për krime lufte në Hagë, në mars të vitit 2005.

Në gjykimin e parë, që mbaroi në vitin 2008, ai ishte shpallur i pafajshëm. Por, vendimi u apelua dhe Tribunali i Hagës urdhëroi një rigjykim të pjesshëm të tij, pasi prokuroria pretendoi se dëshmitarët ishin frikësuar.

Edhe në rigjykimin e vitit 2012, Haradinaj u shpall i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Në fjalimin e tij ku paraqiti vizionin e partisë, të shtunën, Haradinaj tha se AAK-ja do të ketë në fokus shtetasin dhe shtetin, dhe se për këtë ka përgatitur një plan konkret se si vendi të ecën para.

Ai shtoi se të gjithë në AAK, duhet t’i tregojnë qytetarit, se kjo Qeveri, siç tha ai, po mashtron opinionin duke fajësuar të huajt për dështimet e veta.

“Për këtë po ju them se pushtetarët tanë sot, në përgjithësi (është krijuar një kulturë e gabuar), fshihen pas ndërkombëtarëve kur marrin vendime që s’janë, as popullore dhe që s’janë as të mira për votë, ndërsa i fajësojnë ndërkombëtarët për t'i shpëtuar dënimit të votuesit. Kush jemi ne në vendin tonë që të jemi të tillë, për ta mashtruar edhe mikun edhe veten?! Për kë, për të shpëtuar disa politikanë!".

"Duhet të sillemi vërtet në qëndrimet tona, nuk guxojmë të vazhdojmë më me mashtrim. Kosova nuk do që të mashtrojë NATO-n dhe Amerikën. Nuk ka asnjë arsye. Kosova nuk duhet, dhe nuk do që ta fajësojë më tutje BE-në për dështime të veta, cilado qofshin ato. Lista është e gjatë... Kosova dëshiron dhe ka për të qenë partner i vërtetë i aleatëve tanë dhe i gjithë miqve - partner i vërtetë”, u shpreh Haradinaj.

Kuvendi i VI zgjedhor i AAK-së, po zhvillohet pas një procesi tremujor të kryer në degët dhe nëndegët e partisë. Afro 400 delegatë në këtë Kuvend, do të zgjedhin edhe këshillin e ri drejtues të AAK-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG