Ndërlidhjet

DASH: Problemet më të mëdha - pengesat në rrugë në veri të Kosovës


Departamenti Amerikan i Shtetit
Departamenti Amerikan i Shtetit

Në raportin më të ri të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për të drejtat e njeriut në vitin 2012, është përfshirë edhe Kosova.

Në raportin prej 35 faqesh për Kosovën, theksohet se “problemet më të rëndësishme për të drejtat e njeriut gjatë vitit, përfshinin pengesat në rrugë, të vendosura në pjesën veriore të vendit nga serbët e Kosovës të linjës së fortë, duke kufizuar të drejtat themelore, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe lëvizjen e mallrave”.

Më tutje shkruan se pjesëtarët “e linjës së fortë, po ashtu, kanë përdorur dhunë dhe frikësim kundër rivalëve vendës dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë gjatë vitit”.

Fusha e tretë e shqetësimeve serioze, sipas raportit të DASH-it për Kosovën, “ishte diskriminimi shoqëror kundër komuniteteve pakicë: personat me të meta; të gjithë pjesëtarët e komunitetit lesbike, gej, biseksual dhe transeksualë (LGBT), si dhe dhuna familjare, veçanërisht kundër grave”.

“Probleme plotësuese përfshijnë korrupsioni dhe favorizimi në burgje, paraburgosja e gjatë, joefikasiteti gjyqësor, frikësimi i mediave nga zyrtarët publikë dhe elementet kriminale, progresi i kufizuar në kthimin e personave të zhvendosur të brendshëm në shtëpitë e tyre, korrupsioni i qeverisë, trafikimi i njerëzve dhe puna e fëmijëve në sektorin joformal”, thuhet në raport.

Në raport theksohet se Qeveria ka ndërmarrë hapa për ndjekjen dhe dënimin e zyrtarëve që kanë kryer abuzime, qoftë në shërbimet e sigurimit apo gjetkë në Qeveri, megjithëqë shumica supozon se zyrtarët e lartë janë të angazhuar në korrupsion dhe veprojnë të pandëshkuar.

Gjatë vitit, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, në Kosovë nuk ka pasur njoftime se Qeveria ose agjentët e saj kanë kryer vrasje arbitrare të paligjshme gjatë vitit.

Nuk ka pasur raporte për zhdukje të motivuara politikisht.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në fund të vitit, 1766 persona, që u zhdukën gjatë konfliktit 1998-‘99, vazhdojnë të konsiderohen të pagjetur.

Prej tyre, 70 për qind janë shqiptarë të Kosovës, dhe 30 për qind janë serbë të Kosovës dhe minoritete të tjera.

Në pjesën e raportit për Lirinë e të shprehurit dhe shtypit, thuhet se Kushtetua dhe ligjet e Kosovës sigurojnë liri të shprehjes dhe të shtypit dhe Qeveria, në përgjithësi, i respekton këto të drejta në praktikë.

Megjithatë, ka pasur raporte se “zyrtarë publikë, politikanë dhe biznesmenë, i kanë frikësuar përfaqësuesit e mediave”.

Mediat e pavarura ishin aktive dhe kanë shprehur një gamë të gjerë të pikëpamjeve, në përgjithësi, pa kufizime. Mirëpo, ka pasur raporte për presion verbal nga zyrtarët qeveritarë dhe biznesmenët e ndërlidhur me Qeverinë që të mos publikohen shkrime ose materiale të ndryshme të caktuara.

Vështirësitë financiare në rritje, kanë bërë që pavarësia editoriale dhe profesionaliteti gazetaresk, si të shtypit ashtu edhe të televizionit, të jenë të prekshme nga ndikimi dhe presioni i jashtëm.

Gjatë vitit 2012, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka raportuar për 24 raste kur zyrtarët qeveritarë apo grupe të interesit në biznes, e kanë abuzuar lirinë e shtypit, përfshirë sulme fizike, kërcënime gojore ndaj gazetarëve, duke bërë presion ndaj kompanive, që të mos publikojnë dhe duke e penguar punën e gazetarëve.

Ambienti i sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, mbetet i paparashikueshëm dhe autoritetet kanë raportuar për incidente përfshirë eksplodime, zjarrvënie të makinave dhe shkëmbime zjarri.

Misionet EULEX dhe KFOR kanë intervenuar rregullisht për parandalimin e përleshjeve ndërmjet serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës.

Në muajin qershor, serbët e linjës së fortë e kanë sulmuar personelin e KFOR-it dhe i kanë qëlluar dhe plagosur dy ushtarë gjermanë gjatë një operacioni për largimin e barrikadave në Rudare, thuhet, pos tjerash, në raportin e gjatë të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Kosovë, në vitin 2012.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG