Ndërlidhjet

Kushtetuesja lejon mjekët të punojnë në të dy sektorët


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ligji për shëndetësi është miratuar në Parlamentin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.

Por, lidhur me miratimin e Ligjit për shëndetësi, ka pasur edhe mospajtime, nga vetë profesionistët shëndetësorë.

Si rrjedhojë, një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës, kanë bërë një kërkesë për pezullimin e katër neneve 18, 19, 41 dhe 60, të Ligjit për Shëndetësi, duke e dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që neni 41 brenda Ligjit për shëndetësi të anulohet, e që parasheh lejimin e mjekëve të punojnë në sektorin publik dhe atë privat.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pezullimi i nenit 41, nuk do ta pengojë zhvillimin e reformës shëndetësore në Kosovë.

"Pezullimi i nenit 41, nuk do ta pengojë zhvillimin e reformës shëndetësore në Kosovë, për arsye se parashtruesit e ankesës kanë parashtruar ankesë edhe për tri nene të tjera të Ligjit për shëndetësi, që lidhen drejtpërdrejt me organizimin e ri të sistemit shëndetësor dhe reformës".

"Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se të tri këto nene janë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa sa i përket nenit 41, Ministria mbetet institucion i përkushtuar që pa marrë parasysh vendimi, ta zbatojë reformën shëndetësore, e cila pas zhbllokimit të kësaj situate, do të marrë një hap pozitiv dhe do të zhvillohet me hapa më të shpejtë"
, ka deklaruar Hoti.

Ndërkaq, profesionistët shëndetësorë e kanë përshëndetur një vendim të tillë të Gjykatës Kushtetuese duke pohuar se reforma në shëndetësi do të vazhdojë.

Haxhi Avdyli, neurokirurg, njëherësh anëtar i grupit të ekspertëve të shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se anulimi i nenit 41 është një zhvillim pozitiv dhe nuk pengon reformimin e mëtutjeshëm të sistemit shëndetësor.

Ligji, si tërësi, është mirë që po vazhdon, meqë krijon bazën e reformave në shëndetësi dhe është një hap i parë drejt reformimit rrënjësor.

"Neni 41, i cili shkelte të drejtat personale të punëtorëve shëndetësorë, ka mundësi që në hapat e mëtutjeshëm të implementohet. Kërkesë edhe e shumicës së profesinistëve shëndetësorë ka qenë që ky nen të vijë në shprehje kur të aprovohen edhe sigurimet shëndetësore", është shprehur Avdyli.

Sipas Avdylit, pas aprovimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, do të rregullohet edhe punësimi i punëtorëve shëndetësorë në sektorin publik dhe atë privat.

"Ne shpresojmë që sigurimet shëndetësore do ta rregullojnë punësimin në të dy sektorët, sepse sigurimet shëndetësore do të lidhin kontrata vetëm tek ata mjekë që punojnë ose në sektorin privat ose në atë publik".

"Dhe, për këtë arsye, edhe Ligji për sigurime shëndetësore, që shpresojmë se vitin tjetër do të aprovohet në bazë të zhvillimeve, ka për t'i rregulluar shumë gjëra dhe ka për ta vendosur sistemin shëndetësor në binarë. Neni 41, kemi theksuar edhe më herët, që ka qenë një hap i ngutshëm, derisa shumë punë tjera nuk janë kryer brenda sistemit shëndetësor, tani mjekët nuk do të jenë të privuar nga e drejta e tyre dhe do të vazhdojë më tutje reforma, e cila ka përkrahjen e të gjithë punëtorëve shëndetësorë, pa marrë parasysh ngjyrimet politike",
ka shpjeguar Avdyli.

Sidoqoftë, ministri Ferid Agani pati deklaruar se me miratimin e Ligjit për shëndetësi, përfshirë edhe nenin 41, do të parandalohej konflikti i interesit në sistemin shëndetësor, dhe referencat nga institucionet publike në ato private.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG