Ndërlidhjet

Rohan: Kosova ka bërë kompromis kur ka pranuar Planin Ahtisaari


Albert Rohan
Albert Rohan


Kompromisi nga ana e palës kosovare është bërë në vitin 2007, kur ata pranuan Planin Ahtisaari. Ka pasur shumë provizione, të cilat ishte vështirë për liderët kosovarë që t’i pranojnë, por ata e bënë në frymë të kompromisit, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Albert Rohan, bashkë-hartues i Planit të Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet po zhvillohen në Bruksel dhe baronesha Ashton ka bërë thirrje për kryeministrat Thaçi e Daçiq, që të gjejnë kompromis! Çështja është se a është plani i Ahtisaarit i hapur për kompromise, a jo?

ALBERT ROHAN
Së pari, më duhet të them se kompromisi nga ana e palës kosovare është bërë në vitin 2007, kur ata pranuan Planin Ahtisaari. Ka pasur shumë provizione, të cilat ishte vështirë për liderët kosovarë që t’i pranojnë, por ata e bënë në frymë të kompromisit. Andaj, Plani Ahtisaari nuk mund të jetë pikënisje për kompromise të tjera e të reja, nga të dyja palët. Kompromiset kryesore janë bërë atëherë.

Natyrisht se ka një numër të detajeve, të cilat mund të lëvizin në drejtim të dëshirave të palës serbe. Një prej detajeve, është Asociacioni i komunave serbe, i cili është paraparë në Planin Ahtisaari. Por, detajet e tij, mund të formohen në mënyra të ndryshme, sepse i tëri është i bazuar në kartën evropiane të vetëqeverisjes lokale, të Këshillit të Evropës, që është një marrëveshje bazë për shtetet e përfshira.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju vetë bisedimet që po zhvillohen tani? Janë zhvilluar nëntë raunde në Bruksel, dhe ende nuk ka një marrëveshje, edhe pse thuhet se dallimet janë të vogla. Si e shihni ju nga perspektiva juaj?

ALBERT ROHAN
Ka pasur disa marrëveshje, si ai për menaxhimin e integruar të kufirit, që është një hap i rëndësishëm dhe gjërat tjera praktike. Por, marrëveshja kryesor ende nuk ka ngjarë. Kam përshtypjen se të dyja palët e duan marrëveshjen, përfshirë Beogradin. Por, ata disi janë peng të propagandës së tyre në dekadën e fundit dhe e kanë shumë të vështirë që ta bëjnë këtë hap të fundit dhe ta njohin realitetit se Kosova është shtet dhe se do të mbetet shtet.

Ne jemi munduar gjithmonë gjatë negociatave të Ahtisaarit që t’i vëmë interesat e serbëve të Kosovës në rend të parë, e jo pretendimet territoriale të Beogradit. Mendoj se nëse kërkohet në këtë frymë (marrëveshja), atëherë do ta kenë më të lehtë të pranojnë atë që ka propozuar baronesha Ashton.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse e marrim për bazë propozimin e baroneshës Catherine Ashton, lidhur me Asociacionin e komunave serbe, çka fitohet më shumë sesa që ofron Plani Ahtisaari?

ALBERT ROHAN
Nga aspekti i Kushtetutës, propozimi i baroneshës Ashton nuk ofron asgjë më shumë. Vetëm disa detaje janë plotësuar, si çështja se si ushtrohen përgjegjësitë e komunave, si emërohen shefat e policisë (në nivelin komunal) dhe të tjera. Këto gjëra nuk janë rregulluar në detaje në Planin Ahtisaari.

Andaj, është një zhvillim i asaj që është e shkruar në Planin Ahtisaari. Por, mendoj se çështja kryesore është që Serbia duhet të pranojë se Kosova është shtet, dhe se duhet të heqë dorë nga kundërshtimi që Kosova të jetë anëtare e OKB-së.

Nuk mund të ketë normalizim të raporteve dhe, njëkohësisht, të pengohet shteti fqinj që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të ndalem tek ajo që sapo shpjeguat, se me këto bisedime po shkohet më larg sesa që keni ofruar ju në Planin Ahtisaari. Ka vëzhgues që thonë se negociatat do të prodhojnë një Ahtisaari plus. A është e drejtë kjo të thuhet?

ALBERT ROHAN
Jo. Unë nuk do ta quaja ashtu (Ahtisaari plus). Në Planin Ahtisaari thuhet se komunat mund të formojnë një asociacion dhe nuk ka asnjë detaj të dhënë se si duhet të organizohet ky trup, dhe se me çfarë do të merret ky asociacion. Madje, as Karta Evropiane nuk jap asnjë detaj. Përputhja është në strukturën, e cila është në Planin Ahtisaari. Andaj nuk do ta quaja Ahtisaari Plus, por më tepër si ‘ujdi’ në frymën e Planit Ahtisaari.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të shkohet tutje përtej planit Ahtisaari dhe çfarë efekti do të ketë në Kosovë kjo ujdi - apo këto masa të reja siç po thoni ju se do të bazohen në Planin Ahtisaari - në serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër?

ALBERT ROHAN
Kjo është një prej pyetjeve kryesore. Asociacioni duhet në mënyrë ideale të përfshijë të gjitha komunat, por çështja është se a duan komunat serbe të kenë një partneritet apo asociacion që ai t’i ushtroj përgjegjësitë e tyre. Unë nuk mund ta imagjinoj se ato e duan këtë, në cilin rast, i bie se ato nuk do të marrin pjesë në këtë asociacion. Por, kjo është një çështje për të cilën vetë serbët e Kosovës duhet të vendosin, se Qeveria, mendoj se nuk varet prej saj, por prej komunave që të vendosin.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pyetje është ngritur po ashtu se çfarë mund të bëjë baronesha Ashton më shumë, sesa që ju vetë dhe presidenti Ahtisaari, nuk keni bërë gjatë negociatave Kosovë-Serbi?

ALBERT ROHAN
Së pari, që nga ajo kohë, 4 vjet kanë kaluar dhe sa më larg ecim me kohën, ngjarjet si lufta aq më shumë bëhen pjesë e historisë sesa e jetës së përditshme. Koha përmirëson kushtet për ujditë në përgjithësi dhe, natyrisht, ka një ndryshim shumë të madh. Tani të dyja, si Kosova dhe Serbia, kanë një perspektivë të qartë për të qenë të përfshira në proceset integruese.

Ky është natyrisht një adut, sepse në mënyrë që ato të ecin drejt integrimeve në Bashkimin Evropian, ato duhet të bëjnë disa gjëra të caktuara. Kjo është bërë shumë e qartë, jo vetëm nga baronesha Ashton, por edhe nga një numër i vendeve anëtare të BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
A është Plani i Ahtisaarit i hapur për kompromise të mëtejme apo jo?

ALBERT ROHAN
Në detaje është. Plani i Ahtisaarit përmban parime, të cilat mbesin të njëjta, edhe sa i përket strukturës ajo mbetet e njëjtë. Por, mund të përfshini brenda detaje (të reja), dhe në këtë aspekt mund të ofrohen disa hapa në drejtim të serbëve, dhe kjo është në rregull, sepse nuk hidhet poshtë plani i Ahtisaarit me këto detaje.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju po thoni se detajet e reja për veriun, e plotësojnë apo jo ofertën e Planit Ahtisaari për veriun?

ALBERT ROHAN
Mendoj se ato detaje janë pjesë e planit. Veriu nuk e ka zbatuar asnjëherë planin Ahtisaari, andaj në aspektin ligjor, nuk kanë parë beneficionet e Planit Ahtisaarit.

Shumica nga strukturat paralele mund të legalizohen brenda Planit Ahtisaari, dhe sipas Kushtetutës, thjesht duke mbajtur zgjedhje, të cilat njihen në përgjithësi.
Prandaj për ta, Plani Ahtisaari, nuk është zbatuar kurrë. Ata duhet ta bëjnë këtë, dhe do të shohin se beneficionet janë enorme.

RADIO EVROPA E LIRË
Po strukturat paralele të sigurisë?

ALBERT ROHAN
Ato duhet të zhbëhen. Është kusht i domosdoshëm (Conditio sine qua non). Prania ilegale dhe e fshehtë e policisë nga Beogradi duhet të zhbëhet. Kjo është çështje shumë e qartë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG