Ndërlidhjet

Koreja e Veriut pranë “vijës së rrezikshme”


Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Korenë e Veriut se është pranë “vijës së rrezikut” dhe se Uashingtoni është i gatshëm për t’u marrë me çfarëdo provokimi.

Paralajmërimi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel, erdhi pasi Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia u vunë në gatishmëri të lartë, për shkak të indikacioneve se Koreja e Veriut është duke përgatitur për lansimin e një rakete.

“Koreja e Veriut, me retorikën e saj luftarake, me veprimet e saj, është shumë pranë vijës së rrezikshme. Veprimet dhe fjalët e saj nuk kanë ndihmuar në qetësimin e situatës”, ka thënë Hagel.

Në Moskë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se vendi i tij dhe Uashingtoni “nuk kanë dallime” mbi Korenë e Veriut dhe ka paralajmëruar kundër çdo përshkallëzimi të situatës.

Koreja e Jugut ka thënë se është e gatshme të pengojë sulmet eventuale me raketa.

“Nëse raketat verikoreane fluturojnë në gamën e raketave tona Patriot, ne jemi në gjendje t’i mposhtim ato”, u ka thënë gazetarëve në Seul zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Kim Min-seok.

Komentet e tij vijnë pas paralajmërimeve të inteligjencës jugkoreane se Koreja e Veriut mund të ketë përgatitur dy raketa me rreze të mesme për lansim të menjëhershëm nga bregdeti i saj lindor.

Phenjani ka bërë një sërë kërcënimesh kundër Koresë së Jugut dhe SHBA-së, pasi Kombet e Bashkuara kanë forcuar sanksionet kundër tij, për shkak të provës së tretë bërthamore që ka kryer në muajin shkurt.

Sekretari Hagel ka thënë se lideri aktual i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është “i paparashikueshëm” .

Realiteti është se ai është i paparashikueshëm, se ky vend është i paparashikueshëm. Atëherë, nëse është kështu, ne jemi të përgatitur për çdo të papritur”, ka thënë Hagel.

Edhe aleatja e SHBA-së, Japonia, ka shprehur gatishmëri të ngjashme.

Jemi duke punuar së bashku, të bashkuar dhe me një sens të urgjencës në këtë çështje”, ka thënë kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.

Koreja e Veriut ka kërcënuar SHBA-në me sulme bërthamore, ndërsa rivalin e saj jugor me luftë.

Regjimi verikorean u ka thënë po ashtu diplomatëve të huaj në Phenjan të konsiderojnë evakuimin në rast të luftës. Një paralajmërim të ngjashëm ka bërë edhe për shtetasit e huaj në Korenë e Jugut.

Shumë ekspertë nuk besojnë se Koreja e Veriut ka kapacitete që të sulmojë SHBA-në, por, sido që të jetë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se kalkulimet jo të duhura mund të çojnë në pasoja shkatërruese.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG