Ndërlidhjet

K. Veriore kërkon që të huajt të evakuohen nga K. Jugore


Koreja Veriore ka kërkuar nga personat e huaj në Korenë Jugore, që të evakuohen, pasi janë në rrezik në rast të luftës.

Kjo vërejtje e Phenianit është lexuar në Televizionin shtetëror nga një folëse.

Ne kërkojmë nga të gjithë shtetasit e jashtëm, në institute dhe kompani, përfshirë turistët, të ndërmarrin masa evakuuese për sigurinë e vet, duke u larguar nga Seuli dhe Koreja Jugore”, tha folësja në televizion.

Ky ishte i fundit në vargun e kërcënimeve që i ka bërë Pheniani gjatë javëve të fundit në kohën e rritjes së tensioneve në Gadishullin Korean.

Javën e kaluar, Koreja Veriore tha se nuk mund të garantojë siguri të personelit të ambasadave të jashtme në kryeqytetin e vet, Phenian, nga dita e mërkurë, dhe ka sugjeruar evakuim të ambasadave.

Raportohet se Koreja Veriore, po ashtu, e ka lëvizur së paku një sistem me rreze të mesme veprimi në bregdetin e saj lindor.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se qeveria e tij nuk është e frikësuar nga kërcënimet, por ka vendosur sistemin mbrojtës raketor Patriot, rreth kryeqytetit Tokio.

“Besoj se është esenciale që të jemi në linjë me sanksionet aktuale të Kombeve të Bashkuara. Qeveria e Japonisë do të ndërmarrë të gjitha masat e mundshme parandaluese për t’i mbrojtur jetët e popullit të Japonisë”, tha kryeministri Abe.

Punëtorët e Koresë Veriore nuk janë paraqitur në punë në Parkun Industrial brenda Koresë Veriore, që administrohet së bashku nga të dy vendet.

Pheniani pat shpallur se i ndalë operacionet në Parkun Industrial Kaesong, dhe se i tërheqë 53 mijë punëtorët verikoreanë.

Javën e kaluar, Pheniani e pat bllokuar hyrjen në këtë kompleks për jugkoreanët, dhe i lejonte ata që vetëm të largohen nga Koreja Veriore.

Ky kompleks industrial ishte lidhja e fundit ekonomike ndërmjet dy Koreve.

Presidentja e Koresë Jugore, Park Geun-hye, ka tërhequr vërejtjen se mbyllja e kompleksit Kaesong do të ketë pasoja afatgjata për Korenë Veriore komuniste dhe të izoluar.

Investimi është për të qenë i aftë të parashikohet rezultat dhe besim, dhe kur Veriu i shkel rregullat ndërkombëtare dhe premtimet me pezullimin e Kaesongut, derisa bota po shikon, asnjë vend në botë nuk do të investoj në Korenë Veriore”, tha presidentja Park.

Tensionet ndërmjet dy Koreve janë rritur prej se Koreja Veriore e ka bërë testin e saj të tretë atomik, muajin e kaluar, që ka çuar në ashpërsimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë Veriore. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG