Ndërlidhjet

Koreja Jugore dhe SHBA-të ngrenë nivelin e alarmit


Koreja Jugore
Koreja Jugore
Raportohet se Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar nivelin e vëzhgimit ushtarak të tyre, për shkak të indikacioneve se Koreja Veriore mund të përgatitet për provë raketore.

Zyrtarët jugkoreanë dhe amerikanë kanë thënë se Koreja Veriore ndoshta i ka bërë gati së paku dy raketa me rreze të mesme veprimi për lansim nga bregdeti i saj lindor.

Ministri i jashtëm i Koresë Jugore, Yun Byung-se, u ka thënë ligjvënësve se lansimi mund të ndodhë “në çdo kohë”.

“Me gjasë Koreja Veriore do ta lansoj një tip të ri të raketës, të quajtur Musudan, që është raketë me rreze të mesme veprimi. Fushëveprimi i saj është afro 3500 kilometra. Varet nga vendimi i Koresë Veriore se në çfarë largësie do ta dërgohet. Ajo mund të fluturoj në distancë të shkurtër apo të largët, ashtu siç ata kanë vepruar në të kaluarën, duke fluturuar mbi Japoninë”, tha ministri Yun.

Agjencia e lajmeve Yonhap e Koresë Jugore e citon një zyrtar të paemëruar ushtarak, që ka thënë se Komanda e Kombinuar e Forcave të Koresë Jugore dhe Shteteve të Bashkuara, e ka ngritur statusin e nivelit të alarmit, për të reflektuar “kërcënim vital” potencial.

Pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i kishte ashpërsuar sanksionet kundër Koresë Veriore, pas provës së tretë bërthamore të Koresë Veriore, në muajin shkurt, Pheniani i ka paraqitur disa kërcënime.

Koreja Veriore, po ashtu, ka qenë e zemëruar për shkak të ushtrimeve ushtarake Koreja Jugore – Shtetet e Bashkuara, që po vazhdojnë.

Të martën, qeveria komuniste në Phenian u ka tërhequr vërejtjen personave të jashtëm që të evakuohen nga Koreja Jugore, për shkak të mundësisë së kërcënimeve me luftë.

Javën e kaluar, Koreja Veriore u ka sugjeruar ambasadave të jashtme në kryeqytetin e saj, që të evakuohen.

Në Tokio, ministri i mbrojtjes i Japonisë, Itsunori Onodera, i ka inspektuar bateritë e mbrojtjes raketore, të vendosura në qendër të kryeqytetit, pas kërcënimeve të Phenianit.

Me këtë rast ai ka biseduar me njërin nga ushtarët e sistemit mbrojtës raketor, Patriot, afër ministrisë së mbrojtjes.

“Kërkoj nga ju t’i vendosni trupat tuaja në mënyrë të plotë gjithëpërfshirëse me qëllim që të mbrohen jeta dhe toka e popullit të Japonisë, dhe në këtë kohë të pasigurt të jeni gjithnjë të gatshëm ta filloni aksionin kurdo që të jepet urdhër”, u thoshte ushtarëve ministri Itsunori Onodera.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka tërhequr vërejtjen se një incident i vogël mund të provokoj një situatë “të pakontrolluar” në Gadishullin Korean. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG