Ndërlidhjet

Jacobson: Dialogu, mundësi që nuk kthehet


Tracey Ann Jacobson
Tracey Ann Jacobson
Për të disatën herë me radhë, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë të martën mbështetje dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka thënë se dialogu është një rast që nuk bën të humbet.

Është një mundësi për Serbinë dhe Kosovën që të lëvizin përtej historisë së dhimbshme, drejt një të ardhmeje më prosperuese. Nuk mendoj se kjo mundësi kthehet. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të kapin momentin dhe të arrijnë marrëveshje javën e ardhshme”, ka thënë ambasadorja amerikane, për të shtuar se SHBA-ja respekton “vijat e kuqe” të Qeverisë së Kosovës në këto bisedime.

Jacobson i ka bërë këto komente para gazetarëve, gjatë një vizite në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina".

Javën e ardhshme, përkatësisht më 2 prill, do të mbahet rrethi i tetë i bisedimeve ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, nën praninë e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Për herë të fundit, palët janë takuar javën e kaluar. Kanë thënë se është shënuar përparim në bisedime, por jo edhe marrëveshje. E pazakonshmja e rrethit të fundit ka qenë shfaqja, për herë të parë, e dy kryeministrave në konferencë të përbashkët për media.

Asnjëri prej tyre nuk ka mundur të thotë se janë afër as larg marrëveshjes për vendosjen e normalitetit në komunat veriore, ku Serbia, që nga paslufta, financon strukturat e saj paralele.

Prishtina, por jo vetëm, kërkon zhbërjen e këtyre strukturave dhe shtrirjen e autoritetit të saj edhe në veri.

Vende të tjera perëndimore kanë kushtëzuar ngjashëm Beogradin, nëse do që të avancojë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.(v.tela)
XS
SM
MD
LG