Ndërlidhjet

Hoxhaj: Drafti i publikuar për veriun nuk ekziston


Enver Hoxhaj
Enver Hoxhaj
Nuk ekziston asnjë draft-marrëveshje e shkruar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me rajonalizimin e veriut të Kosovës, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Këto komente, Hoxhaj i ka bërë në lidhje me një dokument të publikuar në mediat serbe dhe transkriptuar më pas edhe nga disa media kosovare, e që paraqitet si marrëveshje, ku komunat veriore të banuara me shumicë serbe paraqiten si një territor autonom evropian përbrenda Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se një draft-marrëveshje e tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë.

“Një marrëveshje dhe një dokument i tillë nuk ekziston. Nuk është dorëzuar asnjëherë, as në Prishtinë dhe as në Beograd. Kështu që ai dokument duhet të shihet si i pavlerë dhe jo si qëndrim zyrtarë i baroneshës Ashton, i Bashkimit Evropian karshi dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka rikujtuar edhe këtë herë qëndrimin e Qeverisë dhe delegacionit të Prishtinës në bisedime, se oferta për integrimin e veriut, bazohet në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ai ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një rajoni autonom në veri, siç është prezantuar në disa media.

“Për Republikën e Kosovës e vetmja kornizë e ri-integrimit të tri komunave në veri të Kosovës është Kushtetuta, ligjet e Kosovës dhe Pakoja e Ahtisaarit. Kështu që nuk do të ketë ‘Republika Srpska’ në veri, nuk do të ketë status të veçantë, nuk do të ketë autonomi territoriale dhe nuk do të ketë ndarje të brendshme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ndryshe, në dokumentin që kanë prezantuar mediat serbe thuhet se palët janë marrë vesh që për veriun të mos krijohet asociacioni i komunave serbe, por rajoni evropian, i cili do të kishte një lloj autonomie përbrenda Kosovës.

Një zgjidhje e tillë, ka kohë që përmendet, por edhe kundërshtohet në vazhdimësi nga institucionet e Kosovës, të cilat nuk njohin pushtetin e tretë apo atë të rajonalizimit.

Dialogu Prishtinë - Beograd në lidhje me normalizimin, jo vetëm të raporteve midis dyja vendeve, por edhe vendosjen e një normaliteti në veri, pritet të vazhdojë më 20 mars në Bruksel, me ndërmjetësim të shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.
XS
SM
MD
LG