Ndërlidhjet

Xi premton “rilindje të madhe” të Kinës


Presidenti Xi Jinping me kryeministrin Li Keqiang
Presidenti Xi Jinping me kryeministrin Li Keqiang
Presidenti i ri i Kinës, Xi Jinping, ka premtuar se lidershipi i tij do të punojë për “një rilindje të madhe të popullit kinez” dhe të “kauzës së socializmit me karakteristika kineze”.

Të dielën, Xi ka mbajtur fjalimin e parë prejse është zgjedhur në krye të shtetit më të populluar në botë, të enjten e kaluar.

Ai i ka thënë Kongresit Popullor se “Kina nuk mund të ketë vetëkënaqësi të vogël” nëse “mund të bëjë një jetë më të mirë për 1.3 miliard qytetarët e saj”.

“Ne duhet të kuptojmë, të mbrojmë dhe të zhvillojmë interesat themelorë të popullit dhe të bëjmë që frytet e zhvillimit të përfshijnë të gjithë njerëzit në një mënyrë më të drejtë. Në bazë të zhvillimit të vazhdueshëm të ekonomisë dhe shoqërisë, ne do të përparojmë përpara, në drejtim të prosperitetit të përbashkët”, ka thënë Xi.

Lideri i Partisë Komuniste ka qenë i ashpër derisa ka folur për korrupsionin.

“Ne kundërshtojmë fuqishëm formalizmin, burokrataizmin, hedonizmin, ekstravagancën, si dhe do të vazhdojmë luftën e vendosur për të zhdukur korrupsionin”, ka thënë Xi.

Duke folur me gazetarët të dielën, kryeministri i ri i Kinës, Li Keqiang, është zotuar se do të përshpejtojë reformat ekonomike dhe se do të mbajë vendin në rrugë të rritjes së shpejtë.

Li ka thënë se administrata e tij e ka ndërmend të zvogëlojë numrin e punonjësve të qeverisë dhe të reduktojë sasinë e parave të shpenzuara nga zyrtarët.

“Shpenzimet për mikrpitjet zyrtare, udhëtimet jashtë vendit dhe blerjet e veturave zyrtare do të zvogëlohen”, ka thënë Li.

Për të përmbushur synimet e qeverisë për dyfishim të bruto prodhimit të brendshëm në vitin 2020, rritja vjetore e ekonomisë së Kinës duhet të jetë mesatarisht 7.5 për qind.

Rritja në ekonominë e dytë më të madhe në botë ka rënë për 7.8 për qind vitin e kaluar, çfarë ka paraqitur rritjen më të ngadalshme në më shumë se një dekadë.

Kryeministri po ashtu ka thënë se Kina mbetet e angazhuar për marrëdhënie të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë ekonomia më e madhe në botë dhe partneri më i madh tregtar i Kinës.

Lidhjet e Pekinit me Uashingtonin, në kohët e fundit, janë komplikuar nga akuzat për sulme kibernetike të hakerëve kinezë në kompanitë dhe agjencitë e SHBA-së. Po ashtu ka pasur mosmarrëveshje për praktika “të pandershme” tregtare të Kinës.

Kryeministri po ashtu ka konfirmuar se Xi planifikon të vizitojë Rusinë, në udhëtimin e parë jashtë vendit si president.

Li ka thënë se udhëtimi presidencial tregon rëndësinë e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Kinës.

Pos që kanë lidhje të rëndësishme tregtare, Kina dhe Rusia kanë qëndruar së bashku në disa çështje ndërkombëtare, përfshirë kundërshtimet për ndërhyrje të huaj në luftën në Siri.

Kina ka përfunduar të shtunën emërimin e ministrave të rinj, duke kompletuar transferimin e pushtetit te një brez i ri i liderëve komunistë.

Ky ndryshim ndodh një herë në dhjetë vjet. Sivjet ka nisur me emërimin e presidentit të ri, Xi Jinping, më 14 mars.(v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG