Ndërlidhjet

Kosovë: Mungesë e kuadrove akademike


Hapësira universitare në Prishtinë
Hapësira universitare në Prishtinë
Kosova ka mungesë të kuadrove akademik në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Teknologji informative dhe Mjekësi, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë. Ndërsa , siç thonë ata, nuk mungojnë dhe janë të shumtë kuadrot akademike në universitetet tjera, si në Fakultetin Ekonomik, Juridik, Filozofik dhe Fakultetin e Filologjisë.

Universiteti i Prishtinës ka 16 njësi akademike, dhe 21 universitete private, të cilat janë të licencuara. Numri i studentëve, të cilët ndjekin studimet është rreth 40 mijë.

Ndërkaq, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Kosova thuhet të ketë gjithsej 1.336 doktorantë.

Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ragip Gjoshi, thotë se Universiteti i Prishtinës ndien mungesën e kuadrove në disa lëmi.

“Universitetit i Prishtinës me 16 njësit akademike që ka, natyrisht ndien mungesë të kuadrove për disa profile të reja, sidomos tani me përparimin e teknologjisë informative, ka mungesë të kuadrove në Fakultetin e Arkitekturës, në drejtimet e Fakultetit Teknik, në Mjekësi. Këto janë profilet më të kërkuara dhe aty ku do të duheshin të vijnë kuadrot e shkolluara nga universitet më prestigjioze evropiane dhe botërore”, thotë Gjoshi.

Në vitin 2008 Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kishte filluar projektin e quajtur “Kthimi i trurit” , i cili kishte për qëllim që intelektualët që kanë kryer studimet jashtë vendit, të kthehen në Kosovë për të dhënë kontributin e tyre.

Por, ky kthim, sipas Gjoshit, jo çdoherë ka mundur të realizohet.

“Ne, si ministri, me projektin ‘Kthimi i trurit’ kemi bërë përpjekje që t'i kthejmë njerëzit tanë që kanë studiuar jashtë. Megjithatë, marrë parasysh pozitën materiale, edhe pse Qeveria e Kosovës ka bërë shumë, sepse ka siguruar një pagë të dinjitetshme për profesorë në raport universitar me pagat tjera, ne mund të themi se kjo mungesë ndihet në këto fushë, por jo edhe në fushat tjera siç janë Filozofiku, Filologjiku, Shkencat ekonomike e Juridike që kanë kuadro mjaftueshëm”, shpjegon Gjoshi.

Mungesën e kuadrove në arsimin e lartë e theksojnë edhe udhëheqës të Qendrës Kosovare për Arsim.

Dukagjin Popovci nga kjo qendër thotë për radion Evropa e Lirë se nëse krahasohet numri i madh i studentëve që vijojnë studimet në Universitetin e Prishtinës, me numrin e vogël të personave, të cilët janë doktorë shkence, tregon faktin e mungesës së kuadrove akademik.

Mungesa e këtyre kuadrove akademike, thotë Popovci, bën që cilësia në arsimin e lartë të jetë jo e duhur.

“Kuadri akademike është ai i cili e përbën cilësinë në arsimin e lartë. Kështu që në kushtet kur mungon kuadri akademik, është shumë vështirë të flitet për cilësi. Nuk janë ndërtesat, nuk janë pajisjet e objekteve me laboratorë aq me rëndësi, sa është kuadri akademik. Kështu që një gjë e tillë përbën problem jashtëzakonisht të madh, nëse nuk bëhet sjellja e kuadrit nga vendet e tjera ose zvogëlimi i numrit të studentëve që në kushtet tona nuk është i mundur dhe i dëshirueshëm”, vlerëson Popovci.

Arsyeja e mungesës së kuadrove, sipas Popovcit, është numri në rritje i studentëve, i cili nuk është përcjellë me rritje të kuadrit akademik. Siç thotë ai, në vitet e fundit shumë njerëz kanë punuar punë të tjera dhe janë orientuar në profesione që janë më profitabile.

“Jemi një vend relativisht i vogël që vështirë e ka me nivelin e vet të arsimit t'u dalë përballë kërkesave kaq të shtuara për arsimin e lartë. Dhe, këta janë të gjithë faktorët objektivë, të cilët kanë ndikuar që në Kosovë të ketë një mungesë kronike të kuadrit akademik”, shprehet Popovci.

Sidoqoftë, me gjithë këto pengesa që janë në arsimin e lartë në Kosovë, thotë Popovci, 80 për qind e studentëve që diplomojnë në Universitetin Publik dhe institucionet private të arsimit të lartë, gjejnë punë. Papunësia në mesin e tyre, shton ai, është 20 për qind.
XS
SM
MD
LG