Ndërlidhjet

Stimulimi rrit eksportin dhe ul importin


Prodhim vendor
Prodhim vendor
Kosova vazhdon të varet nga importi i produkteve të huaja dhe kjo sipas ekspertëve të ekonomisë dhe pronarëve të kompanive prodhuese, është dëshmia më e mirë e gjendjes së rëndë të prodhuesve vendorë.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, rezulton se gjatë vitit 2012 eksporti i mallrave arriti në 269.3 milionë euro, ndërsa importi i mallrave ka arritur shumën në 2.5 miliardë euro, duke bërë që mbulueshmëria e importeve me eksport të arrijë normën prej 10.8 për qind.

Disa pronarë të kompanive prodhuese në vend, tregojnë se taksat doganore për lëndën e parë, kanë bërë që produktet e tyre të jenë shumë pak të pranishme në tregjet e huaja.

Ndërmarrja për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike “Frutex”, nga Suhareka, produktet e saj i eksporton në shumicën e vendeve të rajonit, por edhe në Austri, Itali, Afrikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se 40 për qind e prodhimit të përgjithshëm apo deri në 2 milionë euro është shuma që kjo kompani eksporton produkte brenda një viti në vende të ndryshme të botës.

Pavarësisht kësaj, Palushi përmend disa probleme, që ndalojnë rritjen e sasisë së prodhimit për tregjet ndërkombëtare.

“Për shumicën e lëndës së parë vazhdojmë të paguajmë doganë. Problem tjetër është se nuk jemi të barabartë me konkurrentët në rajon, disa vende kanë lëndën e parë që e prodhojnë vetë, ndërsa ne e importojmë lëndën e parë dhe ngarkohemi me doganë 10 për qind. Për këtë kam kërkuar nga asociacionet ekonomike, që të bëjnë trysni tek autoritetet kompetente që të ndryshojnë politikat fiskale”, thotë Palushi.

Kurse, subjekti tjetër afarist, fabrika e vajit “ Inter- company” nga Podujeva, qe dy vjet ka ndërprerë eksportin e prodhimit në vendet e Bashkimit Evropian.

Pronari i kësaj kompanie, Sylejman Konushevci, tregon se tatimi doganor për lëndën e parë dhe shuma e lartë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, nuk lejojnë që produktet kosovare të jenë konkurrente në tregun e jashtëm.

Problemi numër një është ky, sepse nuk mund të jesh konkurrent, kur paguan 10 për qind në lëndë të parë, plus TVSH, ndërsa prodhimi final në Kosovë hyn me 16 për qind prej shteteve të rajonit”, shprehet Konushevci.

Ndryshimi në mes eksportit dhe importit është prezent qe një kohë të gjatë, dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, shprehin shqetësimin ekspertë për çështje ekonomike.

Arsye e gjithë kësaj, sipas Ismail Kastratit, është se sektori i prodhimit në Kosovë nuk është shumë i stimuluar dhe është në fazën e parë të konsolidimit.

“Në rend të parë të gjitha imputet për prodhim duhet të lirohen nga taksat doganore, pastaj duhet të krijohet hapësirë edhe stimulime të ndryshme sektorit të prodhimit, aty ku krijohen vlerat. Dhe, ndër të tjera edhe të krijohet një treg i qëndrueshëm, një treg stabil dhe jo treg ië egër, ku eliminohet konkurrenca jolegale”.

“T’i aftësojmë prodhuesit tanë që të jenë konkurrentë edhe me tregun e jashtëm. Aktualisht, në Kosovë, ndërmarrjet prodhuese kapacitetet i shfrytëzojnë deri në 40 për qind. Me këtë përqindje ato nuk mund të jenë konkurrente me prodhuesit e jashtëm”,
vlerëson Kastrati.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thonë se mbrojtja e prodhuesve vendor është një ndër prioritetet e kësaj ministrie.

Për këtë çështje, Arta Istrefi, këshilltare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se është ndryshuar dhe modernizuar korniza ligjore për shoqatat tregtare dhe tregtinë e brendshme.

“Pastaj, ne jemi pjesë e marrëveshjes preferenciale me Bashkimin Evropian, që do të thotë se kompanitë kosovare mund të eksportojnë në vende e BE-së, pa taksa doganore, duke përjashtuar këtu pijen alkoolike, verën, e cila ka një kuotë të veçantë, gjithashtu në vendet e CEFTA-s mund të eksportohet pa taksa doganore”, thotë Istrefi.

Komuniteti i biznesit vazhdimisht gjatë vitit të kaluar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të bëhen ndryshime në politikat fiskale, në kuadër të së cilës hyn edhe lirimi i mallrave të caktuara nga detyrimet doganore, kryesisht për lëndën e parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG