Ndërlidhjet

Kuvendi refuzon raportimin e Thaçit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës, me votat e opozitës, ka rrëzuar kërkesën për mocion të Partisë Demokratike të Kosovës, që kryeministri Hashim Thaçi, me procedurë urgjente të raportonte në lidhje me takimin e tij të fundit me homologun serb, Ivica Daçiq.

Koalicioni qeverisës arriti të siguronte vetëm 41 vota për këtë mocion, sa kishte edhe opozita e bashkuar.

Tabori opozitar e arsyetoi këtë qëndrim me faktin se raportimi nuk ishte një çështje urgjente që të shtrohej aty për aty.

Një qëndrim të tillë, prezantoi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri dhe u përkrah nga AAK dhe Vetëvendosje.

Ne nuk e përkrahim mocionin e tillë, sepse nuk është çështje urgjente”, ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, Thaçi tha se i vinte keq që opozita nuk deshi të dëgjonte për takimin e tij të fundit me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq, ku sipas tij, edhe njëherë u shuan pretendimet e Serbisë dhe atyre që mendojnë se përmes këtij dialogu mund të krijojnë një autonomi serbe përbrenda Kosovës.

Ata që flisnin javën e kaluar për Republikë serbe, e dinë që nuk do të ketë, sikurse që nuk do të ketë as autonomi, as status special apo të veçantë, as status të Tirolit apo Katalonisë, as Ahtisaari plus, as ndonjë projekt të asociacionit me të drejta legjislative e ekzekutive me pushtet të tretë. Por, do të ketë vetëm funksionim normal të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Në funksion të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, kryeministri Thaçi e ka vlerësuar si një mesazh pozitiv edhe shkrimin autorial të kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq në të përjavshmen NIN, ku ai mes tjerash thotë se “Po gënjejmë se Kosova është jona”.

Thaçi tha se Serbia duhet ta dëshmojw konkretisht në praktikë se dëshiron relaksimin e raporteve me Kosovën.

Presim të shohim në realitet, por është një mesazh pozitiv, një mesazh që po lëvizin gjërat në kuptimin e konsolidimit të plotë të shtetit të Kosovës dhe fillimit të njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë”, është shprehur Thaçi

Edhe për njërin nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës me postin më të lartë në qeveri, zëvendëskryeministrin Sllobodan Petroviq, deklaratat e Daçiqit shihen si të rëndësishme për faktin se një pozicion i ri eventual i Serbisë në raport me Kosovën, do të ndikonte në relaksimin e raporteve midis dyja vendeve.

Kjo është hera e parë që një gjë e tillë është thënë nga një kryeministër dhe sigurisht që paraqet një guxim të madh politik. Kjo do të ishte një situatë e re që do të relaksonte dialogun dhe do të mundësonte që të ecin tutje proceset e filluara të cilat janë në të mirën edhe të serbëve të Kosovës”, ka thënë Petroviq.

Nga takimi i fundit i mbajtur në Bruksel, pjesë e delegacionit të Prishtinës ishin edhe përfaqësuesit serb në kuadër të institucioneve të Kosovës.

Petroviq tha se pret që në takimin e radhës më 20 mars, të shoh përparime dhe arritjen e ndonjë marrëveshje konkrete.

Sa i përket asociacionit të komunave serbe, ai beson se komunat në Kosovë kanë një shkallë të lartë të kompetencave që parashihen me planin e presidentit Ahtisaari.

Në kuadër të planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës komunat kanë mjaftë shumë kompetenca, madje edhe më të mëdha sesa në shtetet përreth”, theksoi Petroviq, duke mos e parë të arsyeshme që të formohet edhe një nivel tjetër i tretë i pushtetit përmes kompetencave të asociacionit të komunave serbe që mund të krijohet pas një marrëveshje eventuale në bisedimet Kosovë - Serbi.

Çështja e kompetencave të këtij asociacioni dhe e shuarjes së strukturave serbe të sigurisë në veri, pritet që të jetë sërish temë boshte e takimit të radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë që pritet të mbahet më 20 mars në Bruksel me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.
XS
SM
MD
LG