Ndërlidhjet

Maqedoni: Rriten pensionet në fushatën zgjedhore


Të gjitha pensionet në Maqedoni janë rritur për 550 denarë, apo përreth 10 euro.

Ministri i financave, Zoran Stavreski ka deklaruar se rritja është bërë në përputhje të plotë me projektimet në buxhetin e vitit 2013 dhe me premtimet e mëparshme për rritjen e pensioneve jo vetëm në këtë muaj, por edhe në periudhën që vjen me qëllim që ato t'i përgjigjen kërkesave të pensionistëve.

Mjetet janë siguruar dhe pensionistët mund të jenë të qetë se çdo muaj do të marrin pensionet me rritje”, deklaroi Stavreski.

Nga ky vendim i qeverisë do të përfitojnë 286 mijë pensionistë sa ka në Maqedoni, ndërsa për këtë qeveria do të ndajë 2.5 milionë euro në muaj, apo rreth 30 milionë në vit.

Por, vendimi i këtillë i qeverisë i miratuar disa ditë pas nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 24 marsit, ka shkaktuar reagime të ndryshme duke e cilësuar si vendim për qëllim të përfitimit nga kategoria më e rrezikuar në vend, për shkak se një pjesë e tyre marrin pensione edhe më pak se 100 euro.

Qeveria këto ndryshime dhe harmonizime të pensioneve nuk i bën në kohën kur është përcaktuar me ligj, në muajt janar dhe korrik, por ajo harmonizimin e pensioneve e bënë ne periudhën zgjedhore. Mendoj se janë masa populiste që nuk do të japin efektin Pensionistët kanë edhe nevoja tjera të cilat duhet të ofrojë qeveria, e jo me 500 denarë të blejë qetësinë dhe votën e pensionistëve për zgjedhjet lokale”, thotë Izet Zeqiri, profesor i ekonomisë dhe deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe Vanço Uzunov, profesor universitar dhe kryetar i këshillit ekonomiko-social pranë LSDM-së opozitare.

Kemi një situatë absurde. Pensionet rriten në kohën kur 17 muajë me radhë shënohet rënie e prodhimit industrial në vend, kur të gjitha sferat tjera të ekonomisë vendore nuk shënojnë rritje, përkundrazi, ato nga dita në ditë po shënojnë rezultate negative. Është e qartë se mjetet për rritjen e pensioneve sigurohen nga marrja e borxheve. Kjo nuk ka asnjë logjike ekonomike, kjo i ngjan balonës që vazhdimisht fryhet, e sa do të zgjasë kjo nuk dihet, qeveria mendon se balona nuk do të pëlcas deri sa ti fitoj zgjedhjet lokale”, thotë Uzunov.

Por, pavarësisht vlerësimeve të ekspertëve të ekonomisë nga radhët e partive opozitare, nga lidhja e pensionistëve kanë mirëpritur vendimin e qeverisë për rritjen e pensioneve.

Ne shpresojmë se këtë vit rritja e pensioneve do të përfundojë me 5 për qind, vitin e ardhshëm me 7.5 dhe vitin 2015 me 10 për qind”, deklaroi Dragi Argirovski, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Maqedonisë.

Sipas të dhënave statistikore, pensioni më i ulët në Maqedoni është rreth 5.800 denarë apo 90 euro, ndërsa më i larti rreth 550 euro apo afër 34 mijë denarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG