Ndërlidhjet

Burns: Dialogu, instrumenti i vetëm për zgjidhje


Zëvendëssekretari amerikan i shtetit , William Burns.
Zëvendëssekretari amerikan i shtetit , William Burns.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbrëmë një bisedë telefonike me zëvendëssekretarin amerikan të shtetit, William Burns.

Sipas njoftimit për media të Kryeministrisë, Burns ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të mbështesin dialogun mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si i vetmi instrument për zgjidhjen e problemeve midis dy vendeve.

Kryeministri Thaçi, nga ana e tij, ka thënë se Kosova ka treguar kreativitet dhe fleksibilitet maksimal për zgjidhje praktike, që do të përmirësonte jetën e qytetarëve në veri të Kosovës.

“Unë jam i gatshëm që të pajtohem për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që do t’iu mundësonte komunave me shumicë serbe të veriut, por gjithashtu edhe të tjerave në jug, të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme të interesit. Përveç kësaj, ky asociacion mund të krijojë partneritete me asociacionet e ngjashme në Serbi dhe gjetiu”, ka thënë Thaçi.

"Por, unë duhet t'ju informoj se ky Asociacion ose organ, ose komunitet siç dëshiron Serbia ta quajë atë, nuk mund të jetë një Organ i Zgjedhur dhe nuk mund të ketë as kompetenca ekzekutive", ka thënë kryeministri, duke kërkuar fuqimisht nga zoti Burns "mirëkuptim dhe mbështetje për shmangien e kësaj".

Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar deri më tash pesë raunde bisedimesh në nivel kryeministrash. Bisedimet, që ndërmjetësohen nga BE-ja dhe mbështeten nga SHBA-ja, kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG