Ndërlidhjet

Sistemi i "lëkundur" bankar


Bankat komerciale në vend, në fund të vitit të kaluar, kanë hyrë në një situatë shqetësuese, karakterizuar me ngecjet dhe me rritjen e humbjeve.

Kështu thuhet në një raport që ka përgatitur Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale "STRAS”.

Drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, Ibrahim Rexhepi, tha se sipas raporteve të tetë bankave komerciale, në tre mujorin e fundit të vitit 2012, humbje kanë pasur tri banka, për derisa në fund të vitit të 2011, asnjëra nuk ishte në minus.

Rezultate negative, sipas Rexhepit, ka pasur Banka Ekonomike e Kosovës, Banka Private për Biznes dhe Banka Kombëtare Tregtare.

Humbjet e përgjithshme të këtyre institucioneve, sipas tij, kapin shifrën 9.7 milionë euro, ose 55 për qind më të larta se në tre mujorin paraprak.

Situatë megjithatë tërheq vërejtjen se zhvillimet në sistemin bankar mund të jenë të paparashikueshme dhe nuk mund të përjashtohet mundësia që ato jenë me pasoja më të mëdha, nëse nuk intervenojnë dhe nuk ndërmarrin masa të menjëhershme".

"Këtu, kryesisht e kam fjalën për humbjet për të cilat thuajse për herë të parë paraqiten në sistemin bankar të Kosovës, duke përjashtuar bankat e reja të cilave iu lejohet një vjeçar që ato mund të kenë rezultate negative”, thotë Rexhepi.

Në anën tjetër, nëpërmes një përgjigjeje përmes postës elektronike, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, theksojnë se në rrafshinë individual, humbjet e raportuara nga dy banka për periudhën e fund vitit 2012 nuk rrezikojnë qëndrueshmërinë e tyre dhe të sektorit në përgjithësi, përderisa humbja e raportuar nga një degë e bankës së huaj konsolidohet lehtë në pasqyrat financiare të unifikuara të kësaj banke.

Në përgjigje, po ashtu thuhet se vlerësimet dhe analizat e përformancës së sektorit bankar për periudhën raportuese të fund vitit 2012, rikonfirmojnë qëndrueshmërinë e tij në komponentët përbërës të menaxhimit të rreziqeve, likuiditetit dhe kapitalizimit.

Gjithsej, mjetet e sektorit bankar kanë vijuar trendin e rritjes edhe në muajin dhjetor 2012, duke shënuar rritje mujore për 14.6 milionë euro ose për 0.6%. Vlera e gjithsej mjeteve raportohet rreth 2.642 miliardë euro.

Edhe Mejdi Bektashi, njohës i çështjeve financiare, konsideron se sistemi bankar në vend është i qëndrueshëm dhe stabil.

Ai, si fakt, përmend rritjen e depozitave të bankave komerciale në Bankën Qendrore të Kosovës, përreth 40 për qind vitin e kaluar, krahasuar më vitin 2011.

Kjo tregon se shuma 302 milionë euro që mbajnë bankat komerciale në Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, është një shenje sigurie për depozituesit, por mund të reflektojë humbje për bankat komerciale".

"Për këto mjete që mbajnë në BQK ato marrin normë shumë të ulët të interesit që sillet më pak se 0.1 për qind në vit, ndërsa për këto mjete depozitueseve i paguhet norma prej 3 deri në 5 për qind”, thekson Bektashi.

Por, Ibrahim Rexhepi, nga STRAS, thotë se në bankat komerciale kanë filluar të ulin trendin e kredive.

Arsye, sipas tij, janë normat e larta të interesit, e që këto institucione nuk janë angazhuar në përmirësimin e kësaj çështjeje.

E vërteta është se trendi i kredive ka filluar të bie. Kreditë janë shumë të shtrenja dhe nuk janë të pranueshme, atraktive për biznesin, për shkak të kostos së lartë të tyre”.

Sidoqoftë, Rexhepi thotë se duke pasur parasysh këtë situatë, bankat komerciale duhet të jenë më të kujdesshme, meqenëse as viti 2013 nuk do të jetë më i lehtë se sa viti i kaluar.

Me qëllim të rritjes se depozitave, bankat komerciale, duhet të pasurojnë pakon e tyre të ofertave , ndërsa paranë të nxjerrin në treg për mes kreditimit me kushte shumë më të favorshme se sa deri më tani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG