Ndërlidhjet

PE: Rezolutë në mbështetje të negociatave për MSA-në


Komiteti për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian, ka miratuar të enjten propozim-rezolutën për Kosovën, dhe kështu ka mbështetur edhe qëllimin e Komisionit Evropian për të nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.

Kjo rezolutë është votuar me 42 vota për, 10 vota kundër, dhe 12 abstenime. pasi që ka kaluar në këtë komision, rezoluta do të shkojë në votim edhe në seancë plenare në pranverë, ndërkohë që miratimi i saj konsiderohet edhe si një fitore i mbështetësve të pavarësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian.

Në këtë rezolutë, edhe kësaj radhe, i bëhet ftesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Po ashtu, propozim-rezoluta edhe një herë kundërshton qartë çdo ide për ndarje të territorit të Kosovës. Në këtë rezolutë mbështetet edhe vazhdimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash në këtë dialog.

Rezoluta, po ashtu, kërkon më shumë transparencë në punën e EULEX-it në Kosovë, dhe angazhim më të madh të autoriteteve të Kosovës dhe të EULEX-it, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në të njëjtin komision është miratuar edhe projekt-rezoluta për Serbinë. Në këtë projekt-rezolutë, parlamentarët evropianë i bëjnë ftesë që Serbisë, sa më shpejtë të jetë e mundur, t'i jepet data për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Si në rezolutën për Serbinë, ashtu edhe në atë për Kosovën, është nënvizuar nevoja për vazhdimin e dialogut dhe për normalizimin e raporteve ne mes të dy vendeve.

Parlamenti Evropian vazhdon të jetë i vetmi institucion i Bashkimit Evropian, i cili Kosovën e trajton si shtet të pavarur dhe kërkon nga pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën.

Mirëpo, rezolutat e Parlamentit Evropian, ndonëse kanë një peshë politike, nuk janë rezoluta të obligueshme për vendet anëtare të BE-së.

Rezoluta për Kosovën është votuar në bazë të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, deputetes austriake, Ulrike Lunacek.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG