Ndërlidhjet

A do të anëtarësohet Kosova në OBSH, këtë vit?


Ilustrim
Ilustrim
Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se duke i marrë parasysh përpjekjet që zyrtarët qeveritarë janë duke i bërë në këtë drejtim, Kosova këtë vit do të jetë anëtare e kësaj organizate.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, ka bërë të ditur se për t’u anëtarësuar Kosova në këtë organizatë, të aplikojë derisa procedurat janë të përcaktuara qartë.

“Procedurat për anëtarësim në OBSH janë të përcaktuara qartë. Shtetet, të cilat janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të bëhen edhe shtete anëtare të OBSH-së derisa ato që nuk janë, mund të aplikojnë. Ky është vendim i Qeverisë së Kosovës nëse dëshirojnë ose jo të anëtarësohen, derisa vendimi merret nga shumica e shteteve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OBSH-së”, thotë Syla, duke përmendur përfitimet që do t’i kishte Kosova po të ishte anëtare e OBSH-së:

“Do të ishte pjesë e takimeve të larta të konferencave ministrore, Asamblesë së Përgjithshme të OBSH së komiteteve të rajonit evropian, si dhe veprimet tjera që merren në nivel global për përmirësimin e shëndetit”.

Por, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kërkon mbështetje edhe nga ministritë tjera, edhe pse ka premtuar se Kosova do të jetë anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2013.

Sipas tij, nevojitet një koordinim më i mirë i aktiviteteve të faktorëve të ndryshëm që kanë të bëjnë me shëndetin publik, si koordinimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me atë të Jashtme, të Bujqësisë, Transportit, Mjedisit, do ta identifikonin hyrjen në shtet në pikat, në të cilat bëhet identifikimi i sëmundjeve të ndryshme që mund të ketë kapacitet të epidemive dhe pandemive.

Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit të Kosovës, thonë se anëtarësimi në OBSH do të ishte me interes të shumëfishtë për vendin. Shaip Muja, deputet në Kuvendin e Kosovës, jep mendimin e tij:
OBSH
OBSH

“Anëtarësimi në OBSH është me interes të shumëfishtë, sepse do të jetë në kuadër të familjeve të botës që përfshin nga të gjitha kontinentet, zhvillimet e shëndetësisë, duke analizuar edhe ecuritë epidemiologjike të ndryshme dhe në fushën e edukimit nën ombrellën e OBSH-së, kur dihet që OBSH-ja është monitoruese dhe shpjeguese e implementimit të organizimeve dhe protokolleve të ndryshme shëndetësore. Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të ishte me interes të madh”.

Por, edhe pse Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zyra e saj në Kosovë ka qenë e pranishme që nga viti 1998 dhe ka dhënë një kontribut të çmuar drejt avancimit dhe konsolidimit të sistemit shëndetësor kosovar.

Pavarësisht faktit se nuk është ende anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosovës iu ka dhënë mundësia të marrë pjesë në të gjitha konferencat ndërkombëtare dhe rajonale të kësaj organizate.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG