Ndërlidhjet

EULEX - me gjithë kritikat, mision i suksesshëm


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Zyrtarët më të lartë të EULEX-it dhe të Bashkimit Evropian që merren me këtë mision, kanë thënë të hënën në Bruksel se misioni, pavarësisht disa kritikave që veçohen, ka arritur një sukses të madh gjatë këtyre viteve sa është në Kosovë dhe se vazhdon të përballet me sfida në aspektin e sigurisë në Kosovë.

Këto vlerësime janë dëgjuar të hënën në një konferencë për shtyp, ku kanë folur shefi i tashëm i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, të cilit i skadon mandati në fund të këtij muaji, por edhe shefi i ardhshëm i këtij misioni, Bernd Borchardt nga Gjermania, i cili ka folur për atë se si e sheh ai misionin në të ardhmen.

De Marnhac ka thënë se për më shumë se dy vjet sa është në krye të misionit, është dëshmuar se ky mision është vërtet mision për menaxhimin e krizave, sepse, sipas tij, ka qenë në një krizë permanente pothuajse tërë kohën në Kosovë dhe është dashur që EULEX-i të ndërhyjë shpesh.

De Marnhac ka theksuar se tash ka një konfigurim më të mirë të pranisë së BE-së në Kosovë, ndërsa, sipas tij, përmirësim i dukshëm në aspektin e sigurisë, është edhe nisja e zbatimit të marrëveshjes së IBM-së. Mirëpo, De Marnhac ka thënë se ekziston një problem që duhet zgjidhur sa më parë, e ai është mënyra e transportit të doganierëve dhe policëve kufitarë të Kosovës në pikëkalimet me Serbinë.

Tash për tash EULEX-i e bën këtë duke i transportuar me linjë ajroje, por De Marnhac ka thënë se shpreson që kjo do të mundësohet edhe në udhëtimin tokësor. Marnhac duke folur për bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës, ka thënë se ka bashkëpunim, por siç është shprehur, ka hapësirë për përmirësim të dukshëm në këtë bashkëpunim.

Nganjëherë mungon përkushtimi nga ana e institucioneve të Kosovës, ka thënë Bout de Marnhac, duke shtuar se vërehet se nga autoritetet e Kosovës, sidomos gjyqësori ka një tendencë dhe vullnet që ata t’i trajtojmë më shumë si partner, e jo vetëm t’i vëzhgojmë, dhe ne jemi duke punuar në këtë drejtim, ka thënë ai.

Duke folur për problemet që janë shkaktuar me disa të arratisur të cilët nuk i janë përgjigjur drejtësisë, De Marnhac ka thënë se EULEX-i do të bëjë çmos në bashkëpunim ndërkombëtar që këto probleme të zgjidhen dhe ata të nxirren para drejtësisë.

Ndërkaq, shefi i ardhshëm i EULEX-it, Bernd Borchardt ka folur edhe për të kaluarën e tij. Borchardt ka thënë se ai ka përvojë nga Kosova sepse ai ka qenë zëvendësambasador i William Walkerit, në misionin e OSBE-së në Kosovë, ndërsa ka shërbyer në rajon po ashtu si diplomat gjerman. (a.p.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG