“Kam marrë garanca të forta nga ana e Qeverisë së Maqedonisë se për të prioritet kryesor mbetet zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë”, është shprehur ndërmjetësuesi i OKB-së i angazhuar për zgjidhjen e kontestit rreth çështjes së emrit, Mathew Nimetz.
Këto deklarata ai pas takimeve që ka realizaur me presidentin e shtetit Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe shefin e diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov.
Nimetz në Shkup është shprehur se ka vërejtur interes të shtuar te të dyja palët që të mbyllet kontesti i cili është i hapur më shumë se dy dekada.
“Kemi folur për detaje, për mundësi të ndryshme . Njëherësh kam prezantuar më shumë ide dhe kam marrë reagime të fuqishme nga të dyja palët”, ka theksuar Nimetz, duke mos dhënë detaje se për çfarë ide konkretisht bëhet fjalë, sepse sipas tij, kjo do ta dëmtonte procesin.
Duke u shprehur i inkurajuar nga takimi me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, i pyetur nëse ka mundësi të zgjidhet ky kontest, ndërmjetësuesi i OKB-së Mathew Nimetz është përgjigjur në mënyrë eksplicite me “Po”.
Ai ka theksuar se i inkurajuar nga takimet në Shkup dhe Athinën zyrtare, menjëherë sa të kthehet në New York do t’i përshpejtojë negociatat në New York bazuar në idetë që ka dëgjuar nga pala maqedonase dhe ajo greke që sipas tij janë konstruktive dhe mirë të menduara.
"Jam i përfshirë në këtë çështje nga viti 1994 dhe nuk mund të them se bëhet fjalë për ide tejet të reja. Por, gjërat po ngrihen në nivele të tjera dhe në kontekste të tjera dhe konsideroj se ekziston çdoherë mundësi për kreativitet dhe të vihet deri në konkluzion pozitiv", është shprehur Nimetz.
Ndryshe Departamenti Amerikan i Shtetit, u është drejtuar dy shteteve, Maqedonisë dhe Greqisë që ta shfrytëzojnë vizitën e ndërmjetësit për kontestin me emrin që të gjendet zgjidhje.
Edhe Brukseli zyrtar ka konfirmuar se zgjidhja e kontestit të emrit paraqet kusht parësor për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
Piter Stano, zëdhënësi i komisionarit për zgjerim Stefan Fule ka deklaruar se zgjidhja e kontestit lidhur me emrin paraqet një hap të rëndësishëm në drejtim të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, duke ritheksuar se tërësisht mbështesin përpjekjet e ndërmjetësuesit të OKB-së Mathew Nimetz për të ardhur te një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.