Ndërlidhjet

Mediat në syrin e zëdhënësve


Ilustrim
Ilustrim
Në retrospektivë, viti 2012 ishte një vit i punës intensive për gazetarët, por ndoshta më intensiv për ata që u gjendën para mikrofonave të tyre.

Në fokus të mediave, ndër të tjera, ishin situata në pjesën veriore të Kosovës, zhvillimet në fushën e drejtësisë, puna e qeverisë dhe e presidentes së vendit.

Sikurse gazetarët, ata janë në gjendje gatishmërie 24 orë brenda ditës; gjejnë, verifikojnë dhe aprovojnë informata në çështje të caktuara për t’ia ofruar ato publikut.

Kalojnë me orë të tëra në telefon apo para kompjuterit duke u përgjigjur kërkesave që mediat kanë për ndonjë ngjarje apo zhvillim të caktuar.

Ajo që i dallon nga gazetarët janë fluksi i kërkesave për informata të ndryshme drejtuar institucioneve që përfaqësojnë.

E quajnë të mirë bashkëpunimin me media, ndërsa theksojnë se pa një bashkëpunim të tillë do të pamundësohej plasimi i informatave “të sakta dhe korrekte”.

Bëhet fjalë për zëdhënësit e disa institucioneve që veprojnë në Kosovë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.

Besim Hoti, zëdhënës i Policisë rajonale në Mitrovicë, Blerim Krasniqi, zëdhënës i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së vendit folën për natyrën dhe sfidat e punës me media.

Që të tre thanë se që kur kanë nisur punën si zëdhënës kanë qenë të vetëdijshëm për atë që do t’u kërkojë puna: përkushtim personal, gatishmëri konstante dhe një mirëkuptimin nga ana e familjes dhe rrethit shoqëror.

Është punë e vështirë, por jo e papërballueshme. Natyrisht që nganjëherë të prishet rehatia në mbrëmje, në fundjavë apo në pushim vjetor (më ka ndodhur të kthehem nga pushimi vjetor), por kjo është natyra e punës të cilën unë e kam zgjedh".

"E kam pasur shumë të rëndësishme të përpiqem ta vendos një standard në komunikim në mënyrë që të mund të kthejë përgjigje korrekte brenda afatit kohor”, tha zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i cili bëri të ditur se brenda ditës, nga gazetarët i adresohen mesatarisht 10 deri në 15 kërkesa për informata që kanë të bëjnë me punën EULEX-it në gjykata, prokurori, polici dhe dogana.

Krasniqi tha se në raste të caktuara numri i kërkesave për informata mund të shkojë në 60 apo 70 brenda ditës.

Më vëmendje të posaçme, sikurse gjatë 13 viteve të fundit që nga paslufta në Kosovë, u përcoll gjatë 2012-ës situata në pjesën veriore të Mitrovicës.

I pajisur me tre telefona celular, Besim Hoti, zëdhënës i policisë për këtë rajon tha se faktori kohë, element i rëndësishëm për media, është shndërruar tashmë në faktor të rëndësishëm edhe për punën e tij.

Hoti theksoi se ndjeshmëria e situatës në zonat veriore të vendit ka rritur në mënyrë automatike shkallën përgjegjësisë së tij dhe të mediave për pasqyrimin në publik të asaj që ndodh në atë pjesë të Kosovës.

Dezinformatat e plasuar në portale të ndryshme apo rrjete sociale, sipas tij, kanë vështirësuar punën e të dyja palëve.

Brengosëse ishte dezinformata apo informacioni i plasuar në mënyrë të gabuar dhe kjo ka marrë më tepër kohë e angazhim për ta korrektuar ose për ta plasuar në mënyrë që publiku ta marr informacionin e drejtë. Kjo ka qenë ajo lufta e fjalëve që merr më tepër kohë. Përndryshe absolutisht nuk ka qenë shqetësuese puna me telefonata për ato çështje të ndejshme për opinionin publik”, tha ai.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, tha se dinamika e punës së Zyrës për Informim të presidentes varet nga zhvillimet apo interesimi aktual i mediave për fusha specifike.

Klasifikimi i këtyre kërkesave, sipas tij, nuk bëhet bazuar në kriterin e rëndësisë, por ekzistimin e interesit publik për publikimin e fakteve specifike.

Institucionet dhe mediat janë në raporte joarmiqësore në mes vete, por janë në raporte bashkëpunimi në mes vete për të informuar apo për të nxjerrë në opinionin publik atë që është në interes për opinionin publik”.

Ka edhe çështje të cilat nganjëherë trajtohen, por që nuk janë në interes të opinionit publik e që mund t’i trajtojnë mediat. Unë nuk i ndaj në çështje: jashtëzakonisht të rëndësishme, të rëndësishme apo më pak të rëndësishme. I ndaj në ato që janë në interes të opinionit publik dhe ato që nuk janë në interes të opinionit publik”, u shpreh Vllahiu.

Qeveria e Kosovës nuk ka zëdhënës, por kërkesat e tyre mediat mund t’i drejtojnë Zyrat për Informim të dikastereve përkatëse të saj.

Sipas Organizatës së Evropës Juglindore për Media (SEEMO) në Kosovë janë 105 media elektronike, 84 radio dhe 21 stacione televizive. Nga 84 radiot, 49 emetojnë në shqip, 26 në serbisht, një emeton në dy gjuhë - shqip dhe serbisht, tri janë në gjuhën boshnjake, dy në gjuhën gorane, dy në turke dhe një në rome.

Nga 21 televizionet, 15 janë në shqip, 5 në serbisht dhe një është turk.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG