Ndërlidhjet

Paviçeviq: Jemi marrë vesh, në veri nuk paguhet doganë


Prishtina dhe Beogradi kanë vazhduar këto ditë bisedimet nëpër grupe punuese në lidhje me konkretizimin e marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit, duke i shtuar asaj edhe atë për doganë, taksa e akcizë.

Sipas Qeverisë serbe, palët janë pajtuar që mallrat, të cilat hyjnë nga Serbia përmes dy pikave kufitare në veri të Kosovës dhe si destinacion kanë komunat veriore, nuk do të paguajnë doganë.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës nuk ka interpretuar detaje të marrëveshjes, por ka insistuar që Kosova do të mbetet me sistem unik doganor.

Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Dejan Paviçeviq, ka deklaruar se zbatimi në praktikë i marrëveshjes për taksa - doganë e akcizë, fillon nga 20 dhjetori.

Kjo marrëveshje, ka nënvizuar Paviçeviq, parasheh që mallrat që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare në veri dhe që janë të destinuara për komunat veriore, nuk doganohen.

Dejan Paviçeviq
Dejan Paviçeviq
"Të gjitha mallrat, për të cilat nuk paguhet akciza, mund të hyjë pa doganim në veri të Kosovës, ashtu sikur dhe malli i akcizës deri në tre tonë e gjysmë nëse ky mall është i destinuar të shkojë në veri të Kosovës", ka thënë Paviçeviq, duke prezantuar rezultatet e takimeve të nëngrupeve punuese ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Qeveria e Kosovës nuk ka sqaruar detaje të bisedimeve në nëngrupet teknike lidhur me pagesat e taksave doganore. Përderisa zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, edhe pse nuk i ka komentuar detajet e këtyre bisedimeve, ka thënë se Kosova do të mbetet me një zonë doganore.

“Kosova e ka ligjin vet që është një zonë doganore dhe kështu do ta ketë edhe në të ardhmen”, është shprehur Kuçi.

Në anën tjetër, Paviçeviq ka thënë po ashtu se malli që importohet nga Serbia do të shënohet për statistika, por ai nuk do të doganohet. Një marrëveshje e tillë, sipas kryenegociatorit serb, është në harmoni me IBM-në, marrëveshje kjo e arritur në kuadër të dialogut teknik Prishtinë - Beograd, por e cila filloi së zbatuari pas dakordimit në dialogun e nivelit të kryeministrave të të dyja vendeve.

Ndërkaq, duke iu referuar deklaratave të serbëve të veriut se Kosova nuk po e zbaton IBM-në sipas marrëveshjes, Paviçeviq ka kërcënuar palën kosovare se “nëse ndodh ndonjë obstruksion”, Serbia është e gatshme ta suspendojë këtë marrëveshje.

Pala serbe në bisedimet me Prishtinën kryesisht është përqendruar në trajtimin e veriut të Kosovës si pjesë të veçantë të dialogut, çka është dëshmuar si me marrëveshjen për IBM-në, ashtu edhe me paralajmërimet për platformën ku veriu për Serbinë identifikohet si një zonë me status të veçantë.

Edhe analistët politikë në Prishtinë kanë tërhequr vërejtjen se lirimi i veriut nga taksat doganore do të ishte hapi i parë i kësaj pjesë drejt autonomisë.

Mirëpo, ndryshe mendon zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
“Veriu është pjesë e Kosovës. Atje do të zbatohet Pakoja e Ahtisaarit, që është kompromisi ynë i dhimbshëm dhe nuk mund të ketë balance tjera, as etnike e as të drejtave të komuniteteve apo balance të ushtrimit gjeografik të sovranitetit. Serbia duhet të jetë e kujdesshme që konsumi i brendshëm të mos i prishë raportet me të tjerët dhe mendoj se ajo duhet të marrë edhe përgjigjen adekuate nga BE-ja”, ka thënë Kuçi.

Përparimet në marrëveshjen IBM i ka përshëndetur edhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Catherine Ashton. Ajo pret që mirëkuptimi i arritur në martën në Bruksel, të mundësojë funksionimin pa pengesa të dy vendkalimeve të hapura më 10 dhjetor, dhe hapjen e dy pikave tjera deri në fund të vitit.
XS
SM
MD
LG