Ndërlidhjet

"Magnitsky" tendos raportet SHBA-Rusi


Ministri i jashtëm i Rusisë ka kritikuar ashpër legjislacionin e ri të SHBA-së, që bën thirrje për sanksione kundër zyrtarëve rusë që shkelin të drejtat e njeriut.

Duke folur të dielën në Moskë, Sergei Lavrov tha se Akti Magnitsky, synon minimin e “rivendosjes së marrëdhënieve” Rusi-SHBA.

Ai u bëri thirrje ligjvënësve të Dumës Shtetërore të Rusisë që të veprojnë si një front i bashkuar kur të ndërmarrin masat reaguese në këtë javë.

"Projekt-ligji Magnitsky iu shërben interesave kombëtare të Amerikës. Ai iu shërben interesave të luftës së tyre të brendshme politike, e cila është e dizajnuar për të goditur arritjen e vetme nga (presidenti amerikan Barack) Obama, të prezantuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, pra raporti me Rusinë, START-i etj. Megjithatë, pasi projektligji paraqet përpjekje për t’u përzier në punët tona të brendshme, unë do të doja shumë të shoh një unitet në reagimet shumëpartiake në Dumën Shtetërore”, u shpreh Lavrov.

Akti Magnitsky u miratua nga Senati Amerikan më 6 dhjetor.

Projektligji është emëruar sipas Sergei Magnitskyt, avokatit rus, i cili vdiq në një burg të Moskës në vitin 2009.

Legjislacioni i ri vendos ndalimin e vizave dhe ngrin pasurinë për zyrtarët rusë të akuzuar se qëndrojnë prapa vdekjes së tij, apo se kanë kryer shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut.

Projektligji ka ngjallur pakënaqësi të ashpra në Moskë, me zyrtarët që kanë premtuar hakmarrje.

Kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës, Aleksei Pushkov, tha se Rusia ka hartuar tashmë një “listë të zezë” të qytetarëve amerikanë, të cilëve do t’u refuzohet viza e hyrjes në Rusi, në ato që Rusia i sheh si shkelje të të drejtave të njeriut.

Furia mbi Aktin Magnitsky kërcënon të errësojë bashkëpunimin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Presidenti amerikan, Barack Obama, i cili nisi një “rivendosje” të marrëdhënieve për të përmirësuar lidhjet me Moskën para gati katër vjetësh, pritet që ta nënshkruajë projekt-ligjin, i cili pastaj hyn në fuqi.

Legjislacioni i ri është pjesë e një projektligji më të gjerë të SHBA-së që heq kufizimet tregtare të kohës së Luftës së Ftohtë.

Por, zyrtarët rusë janë përqendruar në pjesën e të drejtave të njeriut të projekt-ligjit, për çka e kanë kritikuar si projektligji “agresiv dhe jomiqësor”. (a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG