Ndërlidhjet

Maqedoni: Rikthehen incidentet ndëretnike


Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë
Ditëve të fundit janë shtuar incidente ndëretnike në Maqedoni. I fundit u regjistrua një ditë më parë, kur dy të rinjë të komunitetit turk, ishin viktima të dhunës së ushtruar nga huliganë maqedonas.

Dy të rinjtë turq nga qyteti i Radovishit u rrahën brutalisht në afërsi të stacionit të trenit në Shkup.

Ndërkaq, gjatë javës së kaluar në rajonin e Shkupit u regjistruan tre incidente ndëretnike, kryesisht të ndodhura në autobusët urban.

Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska, tha se është duke punuar në zbardhjen e tërësishme të rasteve që kanë të bëjnë me incidentet ndëretnike, njëherësh duke paralajmëruar se në të ardhmen ky dikaster do të reagojë ashpër ndaj të gjithë atyre që do të tentojnë të nxisin incidente jo vetëm në terrenet sportive por edhe jashtë tyre.

Duke folur për incidentin në afërsi të Bit Pazarit në Shkup, kur tifozë maqedonas të klubit “Gjorçe Petrov” provokuan dhe fyen qytetarët shqiptarë, numri një i dikasterit të policisë tha se “Ky incident është zbardhur në tërësi.”

Por, analistët politikë konsiderojnë se nuk duhet ndëshkuar vetëm autorët të cilët kanë nxitur incidentet, por ata të cilët i kanë projektuar dhe njëherazi i kanë porositur.

Unë sinqerisht nuk u besoj shumë në pohimeve të ministres së Punëve të Brendshme. Me vite dëgjojmë se do të ngrihen padi, do të gjinden autorët e incidenteve, fajtorët do të dënohen etj. Por realisht përsëriten gjithnjë e më shumë incidentet e këtilla”, shprehet Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

Ai më pas thekson se partitë politike që janë pjesë e qeverisë gjithnjë e më shumë që afrohen zgjedhjet vendore nxjerrin kartën nacionaliste në pamundësi për të ofruar diçka që do të mundësonte zgjidhjen e problemeve reale me të cilat përballet vendi.

Rreziku më i madh është se qendrat të cilat kanë në dorë ndezjen e këtij fitili të quajtur tensione ndëretnike. Është shumë e rrezikshme kjo që ndodhë, gjegjësisht rigrupimi i qytetarëve në bazë nacionale praqet rrezik të madh për vet ekzistimin e shtetit”, shprehet Dimovski.

Nga ana tjetër, Qashif Bakiu, ligjërues i shkencave politike ne USHT, vlerëson se incidentet e fundit përforcojnë tezën se shoqëria në Maqedoni është shoqëri e fragmentizuar skajshmërisht, e cila vjen si pasojë e karakterit shtetit.

Ngjarjet e fundit tregojnë se fragmetarizimi i skajshëm, apo ndasitë etnike ekstreme nuk mund të funksionojnë në shtetin unik siç është Maqedonia. Forma aktuale e funksionimit të Maqedonisë si shtet nuk ofron komoditet për të gjitha palët, por përkundrazi ofron vetëm garën se kush do të mbizotërojë”.

Në sistemin aktual një gjë e tillë është shumë e thjeshtë, mbizotëron ai që ka në dorë numrat dhe në rastin konkret do të thotë është pala maqedonase. Në raste të këtilla nuk është e vështirë të nxiten tensione dhe të nxiten incidente në formatin që ndodhin shumë shpesh në Maqedoni”, thekson Bakiu.

Forma e dohrëheqjes së këtillë nga e cila udhëhiqen partitë politike në pushtet duke filluar nga Shkupi 2014, më pas gara për të valëvitur në shtylla sa më të larta flamujt kombëtarë , më pas largimi i nxënësve shqiptarë nga shkollat me shumicë maqedonase, etj. paraqesin boshtin e inicimit të problemeve theksojnë analistët politik .

Incidentet mund t`i nxisë, duke filluar nga i pari i lagjes, por padyshim se edhe elitat politike. Në rastet kur incidentet janë të nxitura nga krerët politikë atëherë është më kritike sepse ato incidente ose tensione mes dy etniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve mund të bëhen për qëllime të përfitimeve politike, ata mund të eskalojnë në situata të parashikueshme për të ardhmen e vendit”, shprehet Bakiu.

Ndryshe edhe faktori ndërkombëtarë ka apeluar që të ndërpriten tensionet dhe vendi të shohë prioritetet për zhvillim dhe prosperitet në planin e integrimit evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG