Ndërlidhjet

Ekonomia e Maqedonisë anashkalon zonat me shqiptarë


Ilustrim
Ilustrim
Pas dështimit të tenderit të radhës për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në Tetovë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore ka reaguar duke akuzuar Qeverinë për mungesë të vullnetit për zhvillimin e vendbanimeve shqiptare.

Në fakt, kjo zonë e ekonomike e paralajmëruar që nga viti 2008, ende nuk është vënë në funksion për shkak të mungesës së investitorëve të jashtëm.

Tenderi i fundit është anuluar për shkak të disa lëshimeve gjatë aplikimit, ndërsa në garë ishin dy kompani, një turke dhe një norvegjeze. Nga qeveria, nuk kanë dhënë sqarime tjera, por kanë bërë të ditur shpalljen e një tenderi të ri që duhet të përfundojë në janar të vitit të ardhshëm.

Menderes Kuçi
Menderes Kuçi
“Me këtë, qartë jepet sinjali se politika e kryeministrit Gruevski është e interesuar me çdo kusht për shmangien e investimeve aty ku frymojnë shqiptarët, ndërsa në anën tjetër, këtë e bën në zonat tjera ku favorizohet biznesi nga pronarët maqedonas”, thuhet në reagimin e Menderes Kuçit, kryetar i Odës Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore.

Ai ka apostrofuar edhe shkaqet tjera, që, sipas tij, largojnë investitorët e huaj nga zonat e lira ekonomike të parapara në pjesën perëndimore të vendit të banuar me shqiptarë.

“Arsyet janë shumë të qarta, pasi aty kërkohet partneriteti publiko-privat, ku pjesën më të madhe të investimit duhet ta bëjë vetë investitori pa pasur një matematikë të qartë se ku është përfitimi i tij. Nuk ka trajtim të barabartë me zonat tjera ku është vepruar ndryshe”.

“Atje së pari është rregulluar infrastruktura dhe pastaj thirret investitori, gati se në terren të gatshëm. Është shumë normale që të shkohet në terren të gatshëm dhe më vonë apo nëse s’ka tjetër, atëherë ai do të kishte investuar në një zonë tjetër siç është Tetova”
, thekson Kuçi.

Ndërkohë, edhe Izet Zeqiri, deputet opozitar nga rajoni i Tetovës dhe profesor i ekonomisë, thotë se dështimi para së gjithash, ka të bëjë me modelin që aplikohet për këtë zonë të lirë ekonomike.

“Kërkesa jonë, si shqiptarë, duhet të jetë që të flaket ky model i partneritetit publiko-privat, por të shkohet në modelin tjetër që kjo zonë ekonomike të realizohet me paratë e buxhetit të shtetit, ashtu siç realizohen investimet në zonat ekonomike Bunarxhik 1 dhe 2, në Shkup, dhe në zonën ekonomike në Shtip”, thotë Zeqiri.

Ai shton se situatë e këtillë nuk është vetëm sa i përket zonave të lira ekonomike, por kjo ka të bëjë edhe me projektet tjera infrastrukturore që, sipas tij, janë paraparë që të realizohen në bazë të partneritetit publiko-privat.

“Kjo reflekton pafuqinë ekonomike të shqiptarëve në qeveri. Janë projektet zhvillimore në sferën e infrastrukturës, të cilat vetëm se shkruhen në buxhet dhe nuk realizohen”.

“Është kjo një situatë e papranueshme që të kemi një zhvillim monocentrik ekonomik të përqendruar në Shkup dhe rajonet maqedonase, kurse ato shqiptare lihen anash dhe projektet prezantohen sa për sy e faqe nga ministrat shqiptar dhe të njëjtat nuk arrijnë t’i zbatojnë”,
shprehet Zeqiri.

Ndryshe, sipas vlerësimeve të Qeverisë së Maqedonisë, në zonën e lirë ekonomike në Tetovë janë paraparë të hapen së paku 7 mijë vende pune.

Por, derisa kjo zonë fillimisht pret ndërtimin dhe më pas tërheqjen e investitorëve të saj, në zonat tjera ekonomike të vendit, në veçanti në Shkup dhe Shtip, tashmë kanë filluar me punë disa fabrika të kompanive të njohura botërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG