Ndërlidhjet

Sa është e kënaqshme cilësia në QKUK?


QKUK
QKUK
Cilësia e shërbimeve shëndetësore në Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm.

Kështu thonë vetë zyrtarë të lartë shëndetësorë. Sipas tyre, cilësia e shërbimeve shëndetësore si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat nuk monitorohet.

Qytetarët japin mendime të ndryshme rreth cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Blerta Gashi, e cila ka vizituar shpesh klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thotë se cilësia e shërbimeve shëndetësore është në nivel jo të mirë.

Unë, në rolin e pacientes, e që e kam vizituar shumë shpesh QKUK-në, mendoj se shërbimet nuk janë cilësore. Kam parë raste të cilat kanë qenë shumë urgjente, gjatë natës, derisa mjekët jo që janë marrë me ta, por as që kanë qenë në vendin e tyre të punës. Derisa në Qendrat e Mjekësisë familjare mendoj se pak është përmirësuar cilësia e shërbimeve shëndetësore, por mendoj se ka ende shumë hapësirë për t’u punuar në atë drejtim”, shprehet ajo.

Por Bekim Samadregja, qytetar, mendon se cilësia e shërbimeve shëndetësore është në proporcion me kushtet që stafi mjekësor i posedon.

Mendoj se sa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke i marrë parasysh kushtet që mbretërojnë në sistemin publik shëndetësor, janë në nivel, meqë stafi mjekësor mundohet të bëjë të pamundurën, derisa kushtet shpeshherë nuk lejojnë”, thotë ai.

Kryetari i sindikatës së shëndetësisë, njëherësh gjinekolog me profesion, Blerim Syla, thotë për Radion Evropa e Lirë, se cilësia e shërbimeve shëndetësore është në nivel me kushtet që ofrohen.

Sipas tij, kushtet në sektorin publik nuk janë të lakmueshme, derisa sektori privat ka bërë një hap para.

As në shërbimin privat e as në atë publik nuk monitorohen. Çfarë kushte ka stafi mjekësor, ashtu janë edhe shërbimet, po flas për sektorin publik, derisa sektori privat është diçka tjetër, ka bërë një hap përpara”, thekson Syla.

Derisa Nexhmedin Shala, ndihmës drejtor për çështje shëndetësore në QKUK, ka thotë se kanë formuar komision i cili është i obliguar që çdo klinikë ta përcjellë dhe ta vlerësojë se çfarë cilësie u ofrohet pacientëve.

Ne ballafaqohemi herë pas herë për shkaqe objektive, ndonjëherë edhe subjektive, që kjo cilësi nuk i përmbush kriteret e parapara. Mirëpo, në shumicën e rasteve shërbimet shëndetësore që ofrohen e kanë cilësinë e duhur, bazuar në kriteret e hartuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, deklaron Shala për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, në divizionin për cilësi të shërbimeve shëndetësore, në Ministrinë e Shëndetësisë, patën deklaruar se janë marrë hapa adekuatë, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimeve shëndetësore, por që ato nuk kanë qenë veprime të vazhdueshme, andaj shërbimet shëndetësore janë në nivel jo të kënaqshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG