Ndërlidhjet

Komuniteti ndërkombëtar mirëpret rizgjedhjen e Obamës


Udhëheqësit politikë në shumë pjesë të botës kanë mirëpritur rizgjedhjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për një mandat të dytë.

Në Berlin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se do të bashkëpunojë me Obamën në “stabilizimin e marrëdhënieve transatlantike”.

Dua të shpreh urimet e mia më të ngrohta për rizgjedhjen e presidentit Barack Obama. Ne njojim njëri-tjetrin mirë dhe do të bashkëpunojmë edhe në funksion të stabilizimit të marrëdhënieve transatlantike midis qeverisë federale të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Merkel.

Njëri nga zëdhënësit e Vladimir Putinit ka thënë se presidenti rus ka mirëpritur rizgjedhjen e Obamës si një gjë “shumë pozitive” dhe se ka dërguar telegram urimi në Uashington.

Në një deklaratë të përbashkët, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompuy, kanë thënë se do të vazhdojnë “bashkëpunimin e ngushtë” me Obamën.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka shprehur “urime të ngrohta”, duke lavdëruar atë që ai e ka cilësuar si “udhëheqje të shquar” të Obamës në ruajtjen e marrëdhënieve euro-atlantike.

Edhe kryeministri britanik, David Cameron, ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me presidentin amerikan.

Dua të uroj Barack Obamën për rizgjedhjen e tij. Jam kënaqur vërtet duke punuar me të gjatë viteve të fundit dhe do të vazhdojmë edhe gjatë katër vjetëve të ardhshëm”, ka thënë Cameron.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se fitorja e Obamës ndaj kandidatit republikan, Mitt Romney, është sinjal se Shtetet e Bashkuara do të mbeten thellësisht të angazhuara në çështjet ndërkombëtare. Ai e ka quajtur fitoren “një moment të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe për botën”.

Izraeli, i cili ka shprehur zemërim me qëndrimin diplomatik të Obamës ndaj rivalit të tij, Iranit, ka përshëndetur rizgjedhjen e tij. Presidenti Shimon Peres ka shprehur besimin se Obama “do të bëjë çfarëdo që mund të bëjë” për të reduktuar kërcënimin e programit bërthamor të Iranit.

Besoj se do të bëjë çfarëdo që mund të bëjë për të zvogëluar rrezikun e terrorit dhe të luftës. Jam plotësisht i bindur. Përgjegjësitë që bien mbi supet e tij nuk janë të thjeshta”, ka thënë Peres.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, ka shprehur po ashtu urimet e tij, duke i bërë thirrje Obamës që të vazhdojë përpjekjet për të arritur paqe në Lindjen e Mesme.

Presidentët e Afganistanit dhe të Pakistanit, Hamid Karzai dhe Asif Ali Zardari, kanë shprehur urimet e tyre për rizgjedhjen e Obamës, si dhe shpresën për zgjerimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Në Egjipt, ku Obama ka bërë fjalimin historik më 2009 për shpresat e tij në botën myslimane, presidenti Muhammad Morsi ka lëvduar fitoren e Obamës, duke shfaqur shpresën se administrata e Shteteve të Bashkuara do t’iu shërbejë interesave të popullit amerikan dhe egjiptian

Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se presidenti Hu Jintao dhe kryeministri Wen Jiabao i kanë telefonuar Obamës për t’i uruar fitoren.

Ndërkaq, Këshilli Kombëtar i Sirisë, të cilin e përbën opozita, ka shprehur besimin se zgjidhja e konfliktit në Siri do të jetë në krye të agjendës së Obamës.(v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG