Ndërlidhjet

HRW kërkon nga Clinton e Ashton që t’i bëjnë presion Ballkanit


Hillary Clinton dhe Catherine Ashton (Foto nga arkivi)
Hillary Clinton dhe Catherine Ashton (Foto nga arkivi)
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, duhet të theksojnë rëndësinë e përmirësimit të të drejtave të njeriut në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Serbi e Kosovë, gjatë vizitës së tyre në turneun në Ballkanin Perëndimor, ka thënë të martën Human Rights Watch.

Clinton dhe Ashton e vizitojnë Serbinë dhe Kosovën për të shtyrë përpara zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, thotë grupi.

Gjatë vizitës në Bosnje, Clinton dhe Ashton do të shprehin mbështetjen për një Bosnje të vetme, të bashkuar dhe sovrane.

“Sekretarja Clinton dhe Përfaqësuesja e Lartë, Ashton, duhet të dërgojnë sinjal të qartë në Ballkan se përparimi në të drejtat e njeriut mbetet element qenësor për ngritjen e raporteve me Uashingtonin dhe BE-në”, ka thënë Lydia Gall, hulumtuese për Ballkanin dhe Evropën Lindore në Human Rights Watch.

“Kjo nënkupton fundin e një diskriminimi politik në Bosnje dhe Hercegovinë; sigurimin e të drejtave të romëve dhe minoriteteve tjera në Bosnje, Kosovë dhe Serbi dhe mbrojtjen e lirisë së mediave në tërë rajonin”.

Grupi thotë se të tri shtetet kanë bërë përparim të vogël në të drejtat e njeriut në vitin 2012.

“Liria e mediave mbetet e kërcënuar në Kosovë dhe në Serbi, me gazetarët që po përjetojnë kërcënime dhe dhunë. Kosova duhet të bëjë më shumë për të përmirësuar gjendjen e romëve të kthyer me forcë nga Evropa Perëndimore, me gjithë miratimin e dy strategjive kombëtare, që kanë për qëllim integrimin e tyre”, thotë HRW.

Sikurse vizitat e mëhershme të Clintonit dhe Ashtonit, ky udhëtim pritet që të fokusohet në masë të madhe në çështjet politike dhe të sigurisë.

Clinton e vizitoi për herë të fundit Ballkanin Perëndimor në tetor të 2010-s, kur i kërkoi kryeministrit Hashim Thaçit, që të fillojë bisedimet me Serbinë, pavarësisht krizës politike në atë kohë për shkak të dorëheqjes së presidentit të Kosovës.

Gjatë vizitës së Ashtonit në Ballkanin Perëndimor në shkurt të 2010-s, Clinton theksoi rëndësinë e ecjes ë Bosnjës kah BE-ja, hapat e ardhshëm të Serbisë drejt anëtarësimit në BE, dhe luftës së Kosovës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përparimit në forcimin e sundimit të ligjit.

Ashton e ka vizituar Kosovën në maj të vitit 2011, ku është fokusuar në të ardhmen e Kosovës si pjesë e BE-së dhe mbi çështjen e liberalizimit të vizave, tregtisë dhe rolit të EULEX-it. Ajo, gjithashtu, ka theksuar nevojën për promovimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

“Duhet të jetë evidente se paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor nuk do të sigurohet pa respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit”, ka thënë Gall.

“Është thelbësore për BE-në dhe SHBA-në, që të bëjnë presion mbi Sarajevën, Beogradin dhe Prishtinën që të jetësojnë obligimet për të drejtat e njeriut, por edhe ato politike”, ka thënë ajo. (a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG