Ndërlidhjet

New York Times mbështet rizgjedhjen e Obamës


Barack Obama
Barack Obama
E përditshmja prestigjioze amerikane, New York Times, është përcaktuar përmes një editoriali të saj për rizgjedhjen e presidenti aktual, Barack Obama, në krye të Shteteve të Bashkuara.

Gazeta ka numëruar një sërë fushash, në të cilat sipas saj, është shënuar përmirësim, që nga zgjedhja e Obamës në vitin 2008.

Ekonomia, sipas saj, ka shënuar rimëkëmbje të ngadaltë që nga viti 2008, dhe vendi mund të pësojë një recesion tjetër, po që se zbatohen politika të gabuara.

“Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në rajone të paqëndrueshme, që lehtë mund të shpërthejnë në katastrofë të plotë. Një sulm ideologjik, nga e djathta ka filluar të dëmtojë ligjin jetik të reformave shëndetësore, të miratuara në vitin 2010. Këto forca po shkatërrojnë qasjen e grave në kujdesin shëndetësor, dhe të drejtën për të kontrolluar jetën e tyre”.

“Gati 50 vjet pas kalimit të Aktit të të Drejtave Civile, të drejtat e të gjithë amerikanëve janë zbehur nga vendosmëria e krahut të djathtë për të mohuar përfitimet e martesës për një grup të përzgjedhur tonin. Çuditërisht, edhe e drejta për të votuar është duke u sfiduar. Ky është konteksti i zgjedhjeve të 6 nëntorit, dhe si i zymtë që është, zgjedhja është e qartë”, shkruan NYT.

Presidenti Obama ka treguar një angazhim të fortë në përdorimin e qeverisë për ta shpejtuar rritjen. Ai ka formuar politika të ndjeshme buxhetore, që nuk janë të dedikuara për mbrojtjen e të fuqishmëve, dhe ka punuar për të shpëtuar rrjetin e sigurisë sociale për të mbrojtur të pafuqishmit.

Zoti Obama ka arritje mbresëlënëse, me gjithë murin e paepur të refuzimit të ngritur nga republikanët e Kongresit, që janë aq të dhënë për ta ndalur atë, sa që rrezikonin ta shtynin kombin në depresion, shkruan në editorialin e sotëm, NYT.

Mitt Romney, ish guvernator i Massachusettit, shkruan NYT, deri më tash ka përqafuar një koncept mashtrues, duke thënë atë, që ai mendon se audienca dëshiron ta dëgjojë.

Por, ai e ka lidhur veten me forcat ultrakonservative që e kontrollojnë Partinë Republikane dhe ka përqafuar politikat e tyre, duke përfshirë shkurtime të pakujdesshme buxhetore dhe ide të diskredituara 30 vjeçare.

“Votuesit ende mund të jenë të hutuar në lidhje me identitetin e vërtetë të zotit Romney, por ata e dinë se një administratë e Romney-t do të reflektojë agjendën e Partisë Republikane”, shkruan NYT, duke potencuar se zgjedhja e Paul Ryanit si kandidat për nënpresident, e dëshmon këtë.

Gazeta thekson se e ka kritikuar zgjedhjen individuale të politikave të zotit Obama gjatë katër vjetëve të fundit, sikurse edhe mosgatishmërinë e tij për t’u hedhur në luftën politike.

Por, siç thekson gazeta, ai e ka shkundur hezitimin e debatit të parë, dhe i afrohet zgjedhjeve në mënyrë të qartë dhe i gatshëm për betejat dypartiake, që do të pasojnë fitoren e tij.

Zgjedhja e zotit Romney do të eliminojë çdo shpresë për reduktimin e deficitit që përfshin, rritjen e të ardhurave, shkruan NYT.

Në atmosferën helmuese të kësaj fushate, është e lehtë që të shihen arritjet rëndësishme të zotit Obama, duke përfshirë stimulimin ekonomik, ruajtjen e industrisë së automjeteve, përmirësimin e standardeve të karburanteve dhe duke bërë dy emërime shumë të mira në Gjykatën Supreme, shkruan e përditshmja amerikane.

Duke numëruar fushat si kujdesin shëndetësor, ekonominë, politikën e Jashtme, Gjykatën Supreme dhe të Drejtat Civile, dhe të arriturat gjatë adminstratës Obama, NYT shkruan se për këto dhe arsye të tjera, “ne e mbështesim presidentin Barack Obama për një mandat të dytë, dhe shprehim shpresën se fitorja e tij do të shoqërohet me vullnetin e Kongresit për të punuar për politikat që i duhen amerikanëve”.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG