Ndërlidhjet

Serbia fsheh platformën për Kosovën


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka mbledhur zyrtarët e koalicionit qeverisës për të diskutuar për platformën e bisedimeve me Kosovën, përmbajtja e së cilës mbetet ende e fshehtë për publikun.

Para se të paraqitet për shqyrtim, dhe në procedurë parlamentare, janë shtuar spekulimet, nëse koalicioni qeverisës, i përparimtarëve të socialistëve, do të mbetet sipas koncepteve të vjetra duke insistuar në ndarjen e Kosovës, apo do të fillojë shqyrtimin e ndonjë lloj autonomie për veriun e banuar me shumicë serbe.

Nën shpjegimin se është ende “herët të flitet”, shefi i ekipit negociator serb në dialogun teknik me Prishtinën, Dejan Paviçeviq pret që bisedimet për çështje teknike të vazhdojnë.

“Dialogu teknik gjithsesi se do të vazhdojë. Të paktën në zbatimin e atyre që janë arritur deri më tash. Unë shpresoj se miratimi i platformës do të shpejtojë dialogun teknik. Andaj, është me rëndësi që disa gjëra që mund të jetë më vështirë të zgjidhen, të dërgohen në nivelin politik dhe në këtë mënyrë vjen më lehtë te zgjidhja”, thotë Paviçeviq.

Në takimin me Nikolliqin nuk ka marrë pjesë Paviçeviq, por kryeministri Ivica Daçiq, zv/kryeministrat Aleksandër Vuçiq dhe Suzana Grubjeshiq, shefi i diplomacisë Ivan Mërkiq dhe shefi i Zyrës për Kosovën, Aleksandër Vulin.

Siç zbulon Aleksandër Vuçiq, dokumentet janë parë nga të gjithë.

Në to kanë qenë versionet, që duhet të hartohen më tej, në bazë të propozimeve që merren nga partitë në pushtet.

“Bëhet fjalë për shumë skica konkrete, shumë më shumë se që ka pasur deri më tash”, ka thënë Aleksandër Vuçiq.

Ai iu referohej të pesë dokumenteve, që kanë kaluar nëpër parlamentin serb, e në bazë të të cilave është drejtuar politika serbe karshi Kosovës. Rezoluta e fundit, e shtatorit të 2010, është bërë me një kompromis ndërmjet Beogradit dhe Brukselit.

Kësaj here Beogradi e përgatit dokumentin vetë, për ç’gjë Jelena Miliq nga Qendra për Studime Euro-Atlantike thekson:

“Ajo nga çka kam frikë është se krerët shtetërorë do të dalin në publik dhe do të thonë vetëm ato pjesë të asaj që do të mbetet e fshehtë dhe ato pjesë do të jenë kushtëzime mbi bisedimet”, thotë Miliq.

Duket se teksti i platformës së pari do t’i paraqitet sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, e cila të martën viziton Beogradin.

Gazeta “Blic”, duke cituar burimet e veta thotë se vetëm pas takimit të Clintonit me Nikolliqin dhe Tadiqin, dokumenti do të precizohet.

Përfshirja e autoriteteve ndërkombëtare mund të ndikojë në zvogëlimin e frikës nga mundësia që platforma e re të nënkuptojë dëmtim të pozicionit të serbëve në Kosovë, që sipas politikanit serb nga Kosova, Rangjel Nojkiq, mund të ndodhë, po që se dokumenti përfshin trajtim të ndryshëm të serbëve në veri dhe atyre në jug.

“Ideja mbi ndarjen në të vërtetë është e vdekur. Ajo nuk do të kalojë as te bashkësia ndërkombëtare. Por, përpjekja për të gjetur një zgjidhje për serbët në veri që ata të jenë të privilegjuar, do t’i shndërrojë serbët që jetojnë në jug në një dëm kolateral", thotë Nojkiq, duke potencuar se Beogradi nuk do të sjellë ndonjë vendim që do të nënkuptonte funksionimin e veriut jashtë institucioneve të Prishtinës.

Jelena Miliq tërheq vërejtjen se statusi i komunitetit serb në Kosovë mund ta shtyjë Beogradin ka një politikë e paqartë.

“Publiku i Serbisë duhet ta dijë se nuk kemi shumë hapësirë për marifete dhe shpikje të formave të reja të bisedimeve dhe të temave të reja. Ne mund ta bëjmë këtë, por rrezikojmë integrimin evropian të Serbisë”.

“Po qe se rrezikojmë integrimin evropian, mendoj se do të provokojmë vullnetin e mirë të bashkësisë ndërkombëtare, që çështja e komunitetit serb në Kosovë të zgjidhet në mënyrën më të mire, pra, edhe çështja e statusit të veriut, në kuadër të integritetit territorial të Kosovës. Andaj, mendoj që është me rëndësi që publiku ta kuptojë se platforma duhet të respektojë kornizën që e ka paraqitur BE-ja për bisedime, dhe jo tash të dalim me kushtet tona. Por, e pranoj se jam skeptike se do të ndodhë një gjë e tillë”,
shprehet Miliq.

Se a do të largohet edhe më tej ”jugu” nga “veriu” në masë të madhe varet nga angazhimi i kryeministrit Ivica Daçiq për ndarjen e Kosovës.

Synimet e tij janë të njohura për publikun, dhe as tash nuk po i përjashton.

Florian Bieber nga Universiteti i Gracit ka këtë mendim:

“Tani shtrohet pyetja nëse Daçiqi është i gatshëm që të lëshohet në diçka që është më pak se ndarja. Pres që sinjalet ndërkombëtare në këtë rast të jenë plotësisht të qarta se ndarja është e papranueshme si zgjidhje. Por, njëjtë mendoj, se do të ketë sinjale se mund të flitet për të gjitha çështjet”.

Andaj, disa institucione paralele mund të kthehen në legale, si për shembull arsimi, por jo edhe MUP-i(Ministria e Brendshme e Serbisë). Domethënë është e rëndë për Kosovën, që të pranojë policinë serbe apo institucione të tilla në territorin e Kosovës. Për të gjitha institucionet tjera mendoj se ka mjaft hapësirë që pala kosovare t’i legalizojë”, thotë Biber.

Serbia i financon strukturat paralele të fushave të ndryshme, që janë më të përqendruara në veri. Heqja e tyre, është vënë si kusht disa herë nga SHBA dhe disa vende të BE-së, por nuk ka sinjale nga Beogradi zyrtar për zhbërjen e tyre, përkundrazi, ka pohime se institucionet serbe do të mbesin gjallë në Kosovë.

Ndërkohë, ka zëra që në dialogun e ardhshëm do të shtrohet për diskutim veriu i Kosovës, popullata e të cilit vazhdon të mos e njohë autoritetin e Prishtinës.

Institucionet qendrore të Prishtinës zotohen se nuk do të ketë ndarje të asaj pjese, ndërsa zgjidhjen e shohin te Pakoja e Ahtisaarit, e cila ofron të drejta dhe përgjegjësi të avancuara për komunat serbe të veriut.(a.i.)
XS
SM
MD
LG