Ndërlidhjet

Përparime drejt barazisë gjinore në botë


Ilustrim
Ilustrim
Sipas një studimi të ri, asnjë vend në botë nuk ka arritur ende barazinë gjinore, por shumica e tyre kanë bërë përparim të ngadalshëm në mbylljen e boshllëqeve.

Në Raportin e tij vjetor për Boshllëkun Global Gjinor, Forumi Botëror Ekonomik vë në pah se përparimi më i madh, gjatë gjashtë vjetëve të fundit, është bërë në shëndetësi dhe arsim.

Por, ai po ashtu thekson se gratë vazhdojnë të luftojnë më shumë se meshkujt për pozita më të mira në punë apo për pozita vendimmarrëse në politikë.

Në përgjithësi, vijon raporti, 88 për qind e vendeve të mbuluara në periudhën 2006-2012 kanë përmirësuar qasjen e tyre, ndërsa 12 për qind kanë zgjeruar boshllëqet.

Raporti thekson se, mesatarisht, mbi 96 për qind e boshllëkut në shëndetësi dhe 93 për qind e tij në arritjet arsimore është mbyllur.

Shifrat qëndrojnë më keq në pjesëmarrjen ekonomike dhe në fuqizimin politik, me 60 për qind, përkatësisht 20 për qind të mbylljes së boshllëkut.

Studimi mbulon 135 vende, të cilat përfaqësojnë më shumë se 90 për qind të popullsisë së botës.

Ai tregon se vendet nordike janë duke bërë më shumë punë në mbylljen e boshllëkut gjinor.

Kazakistani, i renditur në vendin 31, ka lëvizur 18 pozita më lart nga viti i kaluar, për shkak të zvogëlimit të dallimit gjinor të pagave dhe rritjes së përqindjes së grave në parlament dhe pozita ministrore.

Moldavia ka rënë për gjashtë vende dhe ndodhet në pozitën numër 45, kryesisht për shkak të humbjeve në pjesëmarrjen ekonomike.

Kroacia ka shënuar përmirësim të vogël në përfaqësimin e grave në postet ministrore dhe është renditur në vendin e 49-të.

Serbia ka hyrë në indeks për herë të parë, duke marrë pozitën numër 50.
Kirgizia ka rënë për dhjetë vende, përkatësisht në vendin e 54-të, kryesisht për shkak të rënies në pjesëmarrjen ekonomike, ashtu si edhe në arritjet arsimore dhe shëndetësore.

Ajo ndiqet nga Rusia, e cila ka rrëshqitur në pozitën 59, për shkak të humbjeve në pjesëmarrjen ekonomike dhe fuqizimin politik.

Maqedonia ka lëvizur poshtë për tetë vende, duke u renditur në pozitën numër 61. Përmirësimet e vendit në përqindjen e grave në pozicionet ministrore janë balancuar me rënien e barazisë së pagave.

Në vendin e 64-të ka mbetur Ukraina, pavarësisht disa përmirësimeve të lehta në përgjithësi.

Shqipëria është renditur në pozitën 91, duke rrëshqitur poshtë për 13 vende, për shkak të rezultateve të pakta në barazinë e pagave, arsimin e mesëm dhe pjesëmarrjen e grave në parlament.

Ndonëse Taxhikistani ka mbetur në vendin e 96-të, ai ka treguar përmirësime të lehta në përgjithësi.

Azerbajxhani ka rrëshqitur për tetë vende në pozitën 99, pjesërisht për shkak të rënieve në arsimin e mesëm dhe të lartë.

Në pozitën numër 127 është renditur Irani për shkak të përkeqësimeve në të ardhura.

Pakistani ka humbur një pozitë, për t’u renditur në vendin 134 si pasojë e humbjeve në barazinë e pagave.(v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG