Ndërlidhjet

Eurointegrimet qetësojnë raportet ndëretnike


Ilustrim
Ilustrim
Njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni thonë se zhbllokimi i procesit euro-integrues ka impakt të drejtpërdrejtë edhe në relaksimin e raporteve ndëretnike në vend dhe anasjelltas, jo rrallëherë dështimet në këtë proces janë kamufluar me tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Kristofer Ivon, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, hedh poshtë pretendimet se Komisioni Evropian për herë të katërt ka rekomanduar fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, për të shmangur krizën, e cila është në rritje sa i përket marrëdhënieve ndëretnike veçanërisht kohën e fundit me dallimet për çështje të caktuara edhe ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar.

Megjithatë, Ivon thekson se zhbllokimi i procesit euro-integrues do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në aspektin pozitiv edhe kundrejt marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni.

“Procesi i zgjerimit në fazën e ardhshme, do të ndihmojë dukshëm në përforcimin e raporteve ndëretnike, në aspektin pozitiv. Nuk mund të them se rekomandimi është si pasojë e situatës në Maqedoni, por më shumë do të thosha, kjo mund të merret si inkurajim që të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike”, shprehet Ivon.

Ndërkaq, Mirjana Najcevska, aktiviste për të drejtat e njeriut në Maqedoni, konsideron se procesi integrues është një udhërrëfyes shumë i rëndësishëm sa i përket kultivimit të vlerave demokratike, veçanërisht për një shtet multi-etnik siç është Maqedonia. Megjithatë, sipas saj, dyert e BE-së për Maqedoninë, do të hapen vetëm pasi të ketë demonstruar se di dhe ka vullnet për të kultivuar vlerat e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet etniteteve të ndryshme.

“Përderisa nuk arrihet ai nivel i zhvillimit demokratik, ku kultivimi i raporteve të mira ndëretnike do të shihet si nevojë dhe jo detyrim, deri në atë çast Maqedonia nuk do të arrijë të përfshihet në procesin integrues kuptimin e plotë të fjalës”, vlerëson Najcevska.

Nga ana tjetër, Albert Musliu konsideron se pika e vetme, në të cilën puqen aspiratat e maqedonasve dhe shqiptarëve si dy etnitete kryesore në Maqedoni, është procesi i integrimit.

“Politikanët në Maqedoni nuk mund të justifikojnë mosmenaxhimin e marrëdhënieve ndëretnike me bllokimin e procesit euro-integrues. Kultivimin e raporteve të mira mes etniteteve, e kanë obligim konstant, pra është shumë gabim ta përdorin si justifikim. Por, gjithsesi do theksuar se kapacitetet e Maqedonisë, si shtet, janë shumë më të vogla për të menaxhuar raportet ndëretnike, nëse procesi euro-integrues për Maqedoninë edhe një kohë të gjatë mbetet i bllokuar”, konsideron Musliu.

Edhe në Raportin e fundit të Progresit theksohet se vendit i nevojitet një kohezion i brendshëm që do të çonte kah zgjidhja e më shumë çështjeve të hapura që prekin drejtpërdrejt interesat e Maqedonisë si shtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG