Ndërlidhjet

Viktimat e dhunës, drejt ri-integrimit


Ilustrim
Ilustrim
Dhuna në familje vazhdon të mbetet problem serioz në Kosovë. Më e theksuara mbetet dhuna bashkëshortore. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë shënuar 426 raste të dhunës në familje.

Derisa në vitin 2011, ishin paraqitur 1042 raste të dhunës në familje. Për mbrojtjen e këtyre viktimave të dhunës në familje, në Kosovë janë disa qendra, të cilat përkujdesen për këto viktima.

“Shtëpia e sigurt” në Gjakovë është njëra nga qendrat që ofron strehim për viktimat e dhunës në familje.

Drejtoresha e kësaj qendre, Sakibe Doli, thotë se në këtë strehimore viktimave iu ofrohet mbështetja psikologjike, ajo juridike, mbrojtje në gjyq, si dhe mbështetje shëndetësore.

Kjo qendër, sipas Dolit, viktimave të dhunës në familje u ofron edhe ngritje profesionale.

’Shtëpia e sigurt’ në Gjakovë është e tipit të hapur. Gratë punojnë dhe përgatiten për jetë, drejt ri-integrimit dhe pavarësisë së tyre. Deri më sot kemi pasur raste të tilla, të cilave iu kemi ndihmuar dhe janë në procesin e ri-integrimit. Ato punojnë, ne ua paguajmë qiranë, ujin, rrymën për një periudhe deri në dy vjet”, tregon Doli.

Sipas rregulloreve që janë në Kosovë, një grua e cila është viktimë e dhunës në familje, në këto strehimore mund të qëndrojë deri në gjashtë muaj, por Doli thotë se kjo nuk vlen për të gjitha gratë, pasi që disa prej tyre nuk mund të gjejnë strehim diku tjetër.

“Ne kemi një grua të dhunës në familje, e cila qëndron tani e katër vjet në strehimore. Nuk kemi ku ta dërgojmë dhe as Qendra për Punë Sociale dhe për këtë ne kemi vendosur ta mbajmë këtu, sepse këtu ajo është e sigurt”, shton Doli.

Doli bën të ditur se viteve të fundit ka filluar të shënojë rritje deklarimi i dhunës në familje. Sipas saj, viktimat janë vetëdijesuar dhe tani kanë guxim ta raportojnë dhunën.

Dhuna në familje në Kosovë, edhe sipas raporteve ndërkombëtare, është cilësuar si një problem mjaft shqetësues. Në raportet ndërkombëtare thuhet se qëndrimet tradicionale shoqërore ndaj femrave në shoqërinë e dominuar nga meshkujt, i kanë kontribuar nivelit të lartë të abuzimit në familje dhe numrit të vogël të rasteve të raportuara.

Viktima të dhunës, sipas zyrtares për informim në Policinë e Kosovës, Sabrije Kamberi, në mbi 90 për qind të rasteve janë gratë.

“Në bazë të raportimit të rasteve të dhunës në familje, të atakuar janë gratë dhe fëmijët. Tani ka filluar raportimi i rasteve edhe të të moshuarve. Mirëpo, në lidhje bashkëshortore, viktima janë gratë në mbi 95 për të rasteve”, thotë Kamberi.

Në bazë të një raporti të Policisë së Kosovës, arsyet se pse viktimat nuk e kanë raportuar dhunën kanë qenë të ndryshme, duke filluara nga tradita, dënimi social, vartësia nga kryesi dhe shqetësimi nga humbja e kujdestarisë për fëmijët.

Ndërkaq, shkaqet e dhunës në familje që janë të raportuara në polici kanë të bëjnë më së shumti me gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale, thotë Kamberi.

“Shkaqet e dhunës në familje janë të lidhura më së shumti me gjendjen e rëndë ekonomike, niveli i ultë i arsimit, xhelozia, alkoolizmi, bashkëjetesa në familje të mëdha, pasojat dhe traumat e luftës, pabarazia, konkurrenca profesionale”, thekson Kamberi.

Ndryshe, në pajtim me të drejtën e ndërkombëtare, parimet e të drejtave të njeriut dhe kornizën ekzistuese ligjore në Kosovë, institucionet janë të obliguara për të hetuar, ndjekur dhe dënuar kryerësit e veprave të dhunës në familje, në të njëjtën kohë duke ofruar zgjidhje efektive për viktimat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG