Ndërlidhjet

BE parasheh “vendime të vështira”


Ilustrim
Ilustrim
Analistë të ndryshëm presin që pas përfundimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe kthimin e liderëve kosovarë e serbë nga Nju Jorku, të sqarohet edhe fati i bisedimeve mes Kosovës e Serbisë.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ua ka bërë të qartë në takime të ndara që ka pasur në Nju Jork me kryeministrin kosovar Hashim Thaçin dhe me presidentin serb Tomisllav Nikolliq se këto dy vende i presin “vendime të vështira”.

Ashton ka thënë se kushti për nisjen e bisedimeve për anëtarësim
të Serbisë në BE, mbetet përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Por, deklarimet në OKB të presidenti serb Tomisllav Nikolliq se Serbia nuk lëshon pe ndaj Kosovës, sipas autoriteteve kosovare nuk lënë shumë vend për përmirësim.

Nikolliq ka thënë se Serbia nuk do të bëjë asnjë hap që shkon kah njohja e Kosovës, e as të shpërbëjë strukturat paralele serbe në veri.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, thotë se me pretendime territoriale nuk krijohet paqja.

Paqja nuk mund të arrihet duke pasur synime për ta okupuar dikë tjetër apo duke mbajtur peng zhvillimet në rajon”, ka thënë Kuçi.

Tashmë në prapaskenë flitet për ngritje të nivelit të bisedimeve, por, e tëra vazhdon të mbetet në nivel spekulimesh.

Njohës të rrethanave politike, janë në pritje të lajmeve nga Nju Jorku, ku tash sa ditë po qëndrojnë liderët shtetërorë të Kosovës e Serbisë.

Pritet kthimi i liderëve nga Nju Jorku. Formati për të cilin do të bisedohet, çështjet që do të shtrohen, kush do të flasë në nivel teknik, kjo ende nuk është vendosur”, ka thënë në Beograd, Eduard Kukan, përfaqësues i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bosnjen e Malin e Zi.

Por, kryeministri Hashim Thaçi, që gjendet në Nju Jork, për t’u takuar me udhëheqës të ndryshëm shtetesh në margjina të AP të OKB-së nuk dha ndonjë datë për bisedime të mundshme me Serbinë.

Ai nuk sqaroi as temat për të cilat mund të flitet.

Tashmë janë shtuar gjithnjë e më shumë zërat që Serbia nuk ka nevojë ta njohë Kosovën, por thjesht të përmirësojë raportet me shtetin e ri.

Një qëndrim i tillë është artikuluar edhe nga kryeministri Thaçi, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës.

Kosova ka një subjektivitet të fuqishëm tani ndërkombëtar. Mund të ndodhë fqinjësia e mirë edhe pa njohje reciproke, por që nënkupton normalizimin e marrëdhënieve të një perspektive evropiane gjithë-rajonale”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se Serbia për shkak të mentalitetit të së kaluarës dështon të normalizojë marrëdheniet.

Prishtina zyrtare kërkon zbatimin në plotëni të shtatë marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme të bisedimeve, para se të nisin të rejat.

Ndërkohë, kryetarja e Komitetit të Helsnikit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë se çështje kryesore në bisedimet e ardhshme do të jetë statusi i veriut të Kosovës.

Ajo thotë se qëllimi final i Beogradit është një lloj autonomie për veriun e Kosovës, ngjashëm si në Republikën Serbe të Bosnjes.

Mund të bisedohet vetëm se për çfarë lloj dhe sa autonomi t’i jepet veriut. Deklarata se Serbia nuk do të lejojë heqjen e strukturave paralele flet për legalizimin e atyre institucioneve, të cilat do të ishin si ato në Republikën Serbe", vlerëson Biserko.

Autoritetet kosovare kanë deklaruar se nuk do të ketë koncesione përtej asaj që parashihet në pakon e Ahtisarit, në të cilën parashihet formimi i komunës veriore të Mitrovicës.

Serbët e veriut kanë hedhur poshtë këtë plan, përderisa i njëjti është zbatuar tashmë në vendbanimet me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, të cilat janë shndërruar në komuna që udhëhiqen nga serbët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG