Ndërlidhjet

Virusi i Nilit Perëndimor: QKUK-ja pa raste të reja


Mushkonja përhapëse e virusit të Nilit Perëndimor
Mushkonja përhapëse e virusit të Nilit Perëndimor
Me virusin e Nilit Perëndimor po vazhdojnë të trajtohen tre persona në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare.

Virusi i Nilit Perëndimor, përcillet nëpërmjet thumbimit të mushkonjës së infektuar, e jo nga njeriu në njeri.

Mushkonjat e infektuara janë ato që rriten dhe shtohen, sidomos në vendet ku ka pellgje me ujëra amull.

Siç kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore, një grua 50-vjeçare ka humbur jetë, si pasojë e virusit të Nilit.

Ndërsa, për dy raste të tjera që ishte dyshuar të jenë prekur me virusin e Nilit Perëndimor, që kanë qenë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e që tashmë kanë vdekur, vazhdojnë të mbeten si të raste të dyshimta, meqë ende nuk janë verifikuar mostrat.

Këtë e ka konfirmuar për Radion e Evropa e Lirë, Shemsedin Dreshaj, drejtor në Klinikën Infektive, derisa shton se situata ditëve të fundit është e qetë.

Ditëve të fundit nuk kemi raste të reja të dyshuara si të infektuar me virusin e Nilit. Tash për tash janë të shtruar tre pacientë dhe kanë rezultuar pozitiv me këtë virus. Gjendja e tyre klinike është e mirë dhe janë jashtë rrezikut për jetë”, bën të ditur Dreshaj.

Sa i përket terapisë për pacientët e prekur me virusin e Nilit, sipas zotit Dreshaj, Klinika Infektive është e furnizuar me të.

Mjekimi është i përgjithshëm nuk trajtohen me terapi specifike dhe barnat për të cilat kanë nevojë, i kemi”.

Naser Ramadani, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka deklaruar se gjendja është e qetë dhe se nuk janë shfaqur raste të reja ditëve të fundit.

Gjendja është e qetë dhe nuk ka raste të reja të paraqitura. Deri tani, 4 raste janë konfirmuar si pozitive në laborator”.

Ndërkaq drejtori për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka deklaruar se pavarësisht për çfarë pandemie bëhet fjalë, ministria e ka një strategji të miratuar e që punon në bazë të saj.

Ai gjithashtu përmend edhe gripin e derrit si dhe atë të shpezëve, e që sipas tij, nuk ka pasur ndonjë shpërthim epidemik, meqë janë ndërmarrë masat e duhura.

Ministria e ka një strategji për pandeminë e gripit, dhe vlejnë të njëjtat masa prej sigurimit të trajtimit dhe vlen për të gjitha llojet e epidemive. Ne kemi pasur gripin e derrit dhe kemi punuar në bazë të atij plani dhe strategjie, dhe ka rezultuar me sukses, gjithashtu edhe për gripin e shpezëve. Është strategji e miratuar. Sa i përket barnave, klinika është e furnizuar mirë edhe për mostrat për diagnostikë, instituti është i pajisur mirë”, thekson Hoti.

Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë, në rast nevoje do të ofrojnë ndihmë teknike. Këtë e bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, shefi i zyrës së OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla.

Ne kemi raporte të rregullta nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ku edhe informatat përcillen në zyrën rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilët edhe kanë ofruar asistencë teknike nëse ka nevojë, por që tash për tash nuk ka vend për panik dhe gjendja është duke u monitoruar dhe varësisht nga situata do të ndërmerren hapat adekuat”, sqaron Syla.

Sipas zotit Syla, Kosova është përballur edhe më herët me sëmundje të ndryshme, si me gripin AH1N1, ethet hemoragjike, krime kongo, gripi i shëpezëve, andaj edhe në këtë rast për sëmundjen e virusit të Nilit, ai thotë se kapacitetet e Kosovës janë në dispozicion të përgjigjen në mënyrë adekuate si në parandalim, ashtu edhe në trajtim pasi që nuk ka ndonjë trajtim specifik të kësaj sëmundjeje.

Sidoqoftë, virusi Nili Perëndimor së pari ishte zbuluar në Ugandë në vitin 1937. Ai bartet nga zogjtë, dhe te njerëzit përhapet nga mushkonjat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG