Ndërlidhjet

Shkollat pa shërbime stomatologjike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Shërbimi stomatologjik ishte ofruar në shkollat e Kosovës, derisa vitet e fundit është zbehur kjo praktikë, duke rezultuar me shumë nga to të mbyllura.

Me konceptin e ri të mjekësisë familjare, sipas zyrtarëve për shëndetësi në Komunën e Prishtinës, nuk janë të nevojshme shërbimet në fjalë.

Por, sipas mësimdhënësve si dhe zyrtarëve në Ministrinë e Arsimit, shërbimet stomatologjike do të duhej të ekzistonin në shkolla.

Mësuesja Myrvete Kelmendi, në shkollën fillore Faik Konica, për Radion Evropa e Lirë tha se shërbimi stomatologjik ka ekzistuar dhe ka funksionuar shumë mirë, derisa pohon se ka kohë që është mbyllur.

Është shuar shërbimi stomatologjik që ka ekzistuar në shkollë. Mendoj se është shumë keq sepse ka qenë më se i nevojshëm. Mendoj që në kuadër të shkollës ka ekzistuar dhe ka funksionuar, dhe ka qenë shumë i suksesshëm, sepse nxënësit aty shkonin para se të fillonte mësimi dhe kryenin punë. Nuk e di pse janë mbyllur, mendoj se kanë qenë të nevojshme”, u shpreh ajo.

Por Valbon Krasniqi, drejtor të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se koncepti i mjekësisë familjare nuk parasheh funksionimin e asnjë profili mjekësor, e as të stomatologut në shkolla.

Ai tha se ky koncept parasheh që shërbimet familjare të ofrohen në komunitet, duke shtuar se në disa shkolla ende kanë mbetur shërbimet shëndetësore, të siç i quan ai, sistemit të vjetër, por që me ligjin e ri për shëndetësi parashihet të mos ekzistojnë.

Komuna e Prishtinës është duke bërë përpjekje maksimale që ta implementojë këtë koncept të mjekësisë familjare. Ka në shkolla shërbime stomatologjike, por që kanë mbetur nga sistemi i kaluar".

"Pra, është ligji për shëndetësi që përcakton mënyrën e organizimit të sistemin shëndetësor, ku shtylla unike është mjekësia familjare, dhe në kuadër të kësaj janë të parapara cilat profile mund të punojnë dhe të ofrojnë shërbime në kuadër të kujdesit primar”, tha Krasniqi.

Por, jo edhe zyrtari për informim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ragip Gjoshi, mendon se shërbimet shëndetësore në përgjithësi, nuk duhet të ekzistojnë brenda shkollave.

MASHT i kushton rëndësi të madhe të gjitha çështjeve rreth shëndetit të fëmijës. Përveç punës edukativo-arsimore dhe aktiviteteve tjera në shkollë, është edhe çështja e përkujdesjes shëndetësore e fëmijës, si periudha më delikate është mirëmbajtja e dhëmbëve dhe është mirë që të ketë shërbime shëndetësore në gjitha shkollat, jo vetëm stomatologjike, por në përgjithësi”, tha Gjoshi.

Me gjithë nevojën për shërbime stomatologjike në shkolla, sipas zoti Gjoshi, ato janë të pakta.

Kjo do marrëveshje mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit, dhe do të tejkalonte këtë problem, sepse tash kemi kuadro mjekësore të mjaftueshme, vetëm që duhen mjete për funksionimin e tyre”, theksoi ai.

Ndërkaq, drejtori i informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se po qe se kërkohet nga ministria në fjalë ndonjë marrëveshje, ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë, derisa shton se shërbimet shëndetësore në shkolla janë kompetencë e Kuvendit Komunal.

Ligji aktual për shëndetësi është kompetencë e komunave, dhe sa i përket shërbimeve shëndetësore mbetet që kjo çështje të drejtohet nga komuna dhe vetë Ministria e Arsimit, derisa nëse shihet si nevojë të ketë edhe profesionistë të fushës së stomatologjisë, atëherë për Ministrinë e Shëndetësisë nuk është ndonjë problem”.

Ministria jonë është e përkushtuar të zbatojë strategjinë e përbashkët si një mundësi që fëmijëve t’u ngrehen njohuritë për sistemin shëndetësor në përgjithësi”, bëri të ditur Hoti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG